
DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka dhënë detaje mbi anijen me mbetjet e rrezikshme që është ndalur në Portin e Durrësit. Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Durrësit bën me dije se anija do të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Prokuroria bën me dije se i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi.
Njoftimi: Informacion nga Prokuroria Durrës në lidhje me masat e marra për urdhrin e sekuestros së konteinerëve
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të konteinerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre.
Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi. Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm.
Anija “Moliva” me mbi 200 kontenierë që dyshohet se përmbajnë lëndë të toksike ka mbërritur në portin e Durrësit. Menjëherë pas mbërritjes së saj Prokuroria e Durrësit kërkoi sekuestrimin e 102 kontenierëve që dyshohen se përmbajnë mbetje toksike.