Aktualitet

Arrestimi i avokatit Ulian Barjami/ Çështja i kalon Prokurorisë së Tiranës, Haxhia: Nëse vijon, bojkot 1 muaj

Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencën

F.I
Arrestimi i avokatit Ulian Barjami/ Çështja i kalon Prokurorisë
Ulian Barjami

TIRANË-Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar në Tiranë çështjen për avokatin Ulian Barjami. Pretendim është bërë konflikti i interesit, pasi padia kundër Barjamit është ngritur nga prokurori Gjergji Ceka, i cili pretendoi se është kërcënuar nga avokati gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.

Ndërkohë Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka mbërritur sot në Elbasan për të administruar dokumentacionin dhe për të shqyrtuar rrethanat procedurale që çuan në ndalimin e avokatit. Hetimi i ILD ka si qëllim të verifikojë nëse janë respektuar të gjitha standardet ligjore dhe procedurale gjatë veprimeve të kryera nga strukturat e drejtësisë.

Nga ana tjetër kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka dhënë deklaratë për mediat, lidhur me bojkotin e avokatëve, pas arrestimit të kolegut të tyre në Elbasan. Haxhia deklaroi se nëse përsëritet një rast tjetër, bojkoti do të vijojë një muaj.

"Është absurditet të mendosh që po shtyhet disa ditë bojkoti dhe u fitua çështja apo u pengua. Kupa është mbushur, po qe se do ketë rast të tillë do braktisen të gjitha proceset për muaj të tjerë,"-tha Haxhia.

Avokati u arrestua më 17 tetor, pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka, i cili pretendoi se Barjami e ka kërcënuar dhe akuzuar për falsifikim provash dhe u lirua sot me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit.

Konkretisht në seancën e 17 tetorit, Ulian Barjami ishte avokati mbrojtës i Maksim Likës, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit. Akuza ndaj Likës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit. Nga ana tjetër prokurori Ceka, replikoi me avokatin Barjami duke e paraljamëruar se do të arrestohej./ZËRI

Poll

MOS HUMB