TIRANË-Një sërë reagimesh kanë ardhur pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, i cili u kallëzua nga prokurori Gjergji Ceka. Ky i fundit pretendon se Barjami e ka kërcënuar dhe akuzuar për falsifikim provash.
Avokati Ledio Braho shkruan se është e papranueshme si magjistratët po e shndërrojnë situatën në krim. Sipas tij një debat mes një avokati dhe prokurori, nuk mund të interpretohet si vepër penale.
Ledio Braho: Eshte e patolerueshme qe ngjarjen kriminale qe ndodhi ndaj kolegut te tyre, magjistratet ta shnderrojne tashme ne arrogance kriminale duke shfrytezuar "ligjin". Kurrsesi qe nje debat mes profesionistesh ne nje salle gjykimi ta interpretosh si konsumim te ndonje vepre penale. Ky rast duhet te sherbeje se paku si rast per procedimin e kujtdo qe ka proceduar kolegun avokat, si konsumim i vepres penale te "Fillimit te paligjshem te ndjekjes penale". Pak kohe me pare u fye nje avokat gjate seances gjyqesore, tashme nje avokat tjeter u arrestua vetem per shkak te debatit gjyqesor, por situata nuk mund te vijoje me vetem me "mea culpa"...
Edhe avokati Jordan Daci e ka quajtur çmenduri arrestimin e Ulian Barjamit. Daci ka thënë se arrestimi i avokatit është një rrezik për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe dhënien e drejtësisë në vend. Avokati ka bërë edhe thirrje për bojkot deri në lirimi të kolegut. Bojkoti sipas tij duhet të përfshijë çdo seancë gjyqësore, madje ndoshta duhet menduar për të bojkotuar edhe ato për masat e sigurimit, për t’u treguar institucioneve se drejtësi pa avokatë nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Jordan Daci: Arrestimi i Avokatit Bajrami përbën kulmin e çmendurisë së një sistemi që po refuzon në mënyrë të hapur mbrojtjen e profesionit të avokatit dhe po shndërrohet në një rrezik real për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe vetë dhënien e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë. Ky akt i paprecedentë nuk është thjesht një rast individual, por një sinjal i qartë i shkatërrimit të ekuilibrit ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, i cili është thelbësor për ekzistencën e një sistemi gjyqësor të drejtë, siç e kërkon neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë. Çdo fjalë është e tepërt: kjo është pikërisht ajo që ne, si profesionistë të ligjit, kemi paralajmëruar prej kohësh — një drejtësi e deformuar që, para se të miratohet i ashtuquajturi “projekt-Kodi Penal fashist”, po demonstron qartë tendencën autoritare dhe represive ndaj avokatisë dhe lirisë së mbrojtjes. Në këto kushte, avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri. Të gjithë avokatët, pa përjashtim, duhet të bëhen pjesë e një bojkoti të përgjithshëm dhe pa afat deri në rivendosjen e drejtësisë dhe lirimit të menjëhershëm të kolegut tonë. Bojkoti duhet të përfshijë çdo seancë gjyqësore, madje ndoshta duhet menduar për të bojkotuar edhe ato për masat e sigurimit, për t’u treguar institucioneve se drejtësi pa avokatë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Duhet kujtuar se çdo gjyqtar, prokuror apo zyrtar publik, në momentin kur bie ndesh me ligjin, do të ketë po ashtu nevojë për një avokat. Mbrojtja e avokatisë është mbrojtje e shtetit të së drejtës, e lirisë dhe e drejtësisë për të gjithë.
Avokati Arben Llangozi teksa ka publikuar audion nga salla e gjyqit, ku pas një debati mes avokatit, prokurorit dhe gjyqtares në pranga u vendos Ulian Barjami, shprehet se Barjami po paguan çmimin e ndershmërisë në një sistem të kalbur. Në argumentin e tij ai thotë se njëri u vra fizikisht, ndërsa Barjami po “vritet” për së gjalli nga një sistem që nuk duron dot zërin e ndershëm dhe kritik ndaj manipulimit.
Arben Llangozi: Uljan Barjami, Avokati që po paguan çmimin e ndershmërisë në një sistem të kalbur .Arrestimi i avokatit Uljan Barjami është një nga ngjarjet më tronditëse që ka goditur drejtësinë shqiptare në vitet e fundit. Është po aq i rëndë sa vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, sepse në të dy rastet është goditur në zemër vetë drejtësia. Njëri u vra fizikisht, tjetri po “vritet” për së gjalli nga një sistem që nuk duron dot zërin e ndershëm dhe kritik ndaj manipulimit. Ajo që po ndodh me Uljanin është pasqyra më e qartë e një realiteti të frikshëm, kur ligji përdoret si armë kundër atyre që e mbrojnë, atëherë shteti ka dështuar. Oficerë, prokurorë dhe gjyqtarë që bashkëpunojnë për të manipuluar prova, që krijojnë akuza të rreme dhe mbulojnë të vërtetën, janë shndërruar në një zinxhir të njëjtë korrupsioni. Ata nuk kërkojnë drejtësi, por pushtet. Nuk mbrojnë ligjin, por interesat e errëta që i komandojnë dhe veprimet e tyre kriminale. Uljani nuk është një avokat i zakonshëm. Ai është një simbol i kurajos profesionale dhe njerëzore, një zë që flet aty ku të tjerët heshtin. Ai është hero i punës, i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj ligjit, një shembull i gjallë i asaj çfarë duhet të jetë avokatia, mburojë për të pafuqishmit, jo armë e pushtetit. Sot, ai ndodhet përballë një sistemi që përpiqet ta shkatërrojë vetëm pse nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së pistë. Por rasti i tij nuk është vetëm i tij, është kauza e gjithë shoqërisë që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi të vërtetë. Nëse heshtim sot për Uljanin, nesër do të jetë dikush tjetër në vendin e tij. Prandaj është koha të reagojmë. Të mos pranojmë më drejtësi të manipuluar, prokurorë që bëjnë pazare dhe gjyqtarë që marrin urdhra. Uljani është prova se ende ka njerëz që besojnë tek ligji, tek e vërteta dhe tek ndershmëria dhe për këtë arsye është i rrezikshëm për ata që ndërtojnë karrierën mbi mashtrimin. Uljan Barjami nuk duhet të lihet vetëm. Kauza e tij është kauza e dinjitetit njerëzor, e besimit tek drejtësia dhe e shpresës se Shqipëria mund të ketë ende njerëz që nuk shiten.
Dhoma e Avokatisë njoftoi se avokati është arrestuar si i akuzuar për veprat penale "Kanosja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit", dhe "Kanosja e gjyqtarit". Sipas Dhomës së Avokatisë, ky akt është tërësisht arbitrar dhe synon të frikësojë dhe zmbrapsë avokatët në detyrën për mbrojtjen e klientëve të tyre. Për më tepër, Dhoma e Avokatisë pretendon se është manipuluar edhe procesverbali i arrestimit të avokatit. Ndër të tjera Avokatia i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillitt ë Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht.
Çfarë ndodhi në seancën e 17 tetorit
Barjami, ka kundërshtuar provat që fajësonin klientin e tij Maksim Suçin, të paraqitura para togave të zeza nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit. Nga ana tjetër prokurori Ceka, replikoi me avokatin Barjami duke e paraljamëruar se do të arrestohej./ZËRI


