Aktualitet

Publikohet AUDIO-Avokati: Provat janë falsifikuar, do merrem personalisht. Gjyqtarja: Hera e fundit, të nxjerr përjashta

Në audion e publikuar një ndërhyrje ka patur edhe nga gjyqtarja Megi Strakosha, e cila ka paralajmëruar avokatin se do e nxjerrë jashtë dhe do e përjashtojë nga seanca.

F.I
Publikohet AUDIO-Avokati: Provat janë falsifikuar, do merrem personalisht.
Ulian Barjami

TIRANË-Avokati Arben Llangozi ka publikuar audion nga salla e gjyqit, ku pas një debati mes avokatit, prokurorit dhe gjyqtares në pranga u vendos Ulian Barjami. Barjami u vendos në pranga pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka, i cili pretendon se Barjami e ka kërcënuar dhe akuzuar për falsifikim provash. Barjami ishte avokati mbrojtës i Maksim Likës, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit.

Akuza ndaj Likës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit. Në audion e publikuar një ndërhyrje ka patur edhe nga gjyqtarja Megi Strakosha, e cila ka paralajmëruar avokatin se do e nxjerrë jashtë dhe do e përjashtojë nga seanca.

AUDIO:

Avokati: Kërkesa për vlerësim arresti, caktim mase sigurie bazohet në prova apo jo. Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rremë të të dhënave dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e Policisë. 

Prokurori: Do arrestohesh

Gjyqtarja: Avokat...hera e fundit... nuk funksjonon me kërcënim në sallën e gjyqit

Avokati: Është shkelje ligjore

Gjyqtarja: Nuk ka rëndësi çfarë do bëni ju jashtë kësja salle. Të thashë për herë të fundit, avokat do marr masa...këtë lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqëndrohu te mbrojtja e klientit ose do i caktoj ndonjë avokat tjetër dh edo të të nxjerr përjashta.

Krahas audios të publikuar nga seanca gjyqësore, avokati Arebn Llangozi shprehet se Uljan Bajrami ndodhet përballë një sistemi që përpiqet ta shkatërrojë vetëm pse nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së pistë.

Reagimi i plotë i Arebn Llangozi:

Uljan Barjami, Avokati që po paguan çmimin e ndershmërisë në një sistem të kalbur

Arrestimi i avokatit Uljan Barjami është një nga ngjarjet më tronditëse që ka goditur drejtësinë shqiptare në vitet e fundit. Është po aq i rëndë sa vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, sepse në të dy rastet është goditur në zemër vetë drejtësia. Njëri u vra fizikisht, tjetri po “vritet” për së gjalli nga një sistem që nuk duron dot zërin e ndershëm dhe kritik ndaj manipulimit.

Ajo që po ndodh me Uljanin është pasqyra më e qartë e një realiteti të frikshëm, kur ligji përdoret si armë kundër atyre që e mbrojnë, atëherë shteti ka dështuar. Oficerë, prokurorë dhe gjyqtarë që bashkëpunojnë për të manipuluar prova, që krijojnë akuza të rreme dhe mbulojnë të vërtetën, janë shndërruar në një zinxhir të njëjtë korrupsioni. Ata nuk kërkojnë drejtësi, por pushtet. Nuk mbrojnë ligjin, por interesat e errëta që i komandojnë dhe veprimet e tyre kriminale.

Uljani nuk është një avokat i zakonshëm. Ai është një simbol i kurajos profesionale dhe njerëzore, një zë që flet aty ku të tjerët heshtin. Ai është hero i punës, i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj ligjit, një shembull i gjallë i asaj çfarë duhet të jetë avokatia, mburojë për të pafuqishmit, jo armë e pushtetit.

Sot, ai ndodhet përballë një sistemi që përpiqet ta shkatërrojë vetëm pse nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së pistë. Por rasti i tij nuk është vetëm i tij, është kauza e gjithë shoqërisë që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi të vërtetë. Nëse heshtim sot për Uljanin, nesër do të jetë dikush tjetër në vendin e tij.

Prandaj është koha të reagojmë. Të mos pranojmë më drejtësi të manipuluar, prokurorë që bëjnë pazare dhe gjyqtarë që marrin urdhra. Uljani është prova se ende ka njerëz që besojnë tek ligji, tek e vërteta dhe tek ndershmëria dhe për këtë arsye është i rrezikshëm për ata që ndërtojnë karrierën mbi mashtrimin.

Uljan Barjami nuk duhet të lihet vetëm. Kauza e tij është kauza e dinjitetit njerëzor, e besimit tek drejtësia dhe e shpresës se Shqipëria mund të ketë ende njerëz që nuk shiten.

Poll

MOS HUMB