Aktualitet

Arrestohet i riu italian/ Vodhi “Audi Q5” në Tiranë, përplasi disa makina dhe goditi një polic (VIDEO+EMËR)

Gjatë ndjekjes nga Policia, i riu ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin, duke u përplasur me disa makina. Më pas, ai ka goditur me mjet edhe një punonjës Policie, i cili ka marrë dëmtime të lehta në krah.

l.k
Arrestohet i riu italian/ Vodhi “Audi Q5” në Tiranë,
Momente nga arrestimi i shtetasit italian

TIRANË- Një shtetas italian ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Audi Q5”.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 19:00, në rrugën dytësore Durrës-Tiranë. Sipas Policisë, pronari i automjetit sapo kishte dalë nga “Audi Q5” dhe e kishte lënë atë të ndezur. 35-vjeçari italian, i identifikuar si Angelo Esposito, dyshohet se ka marrë automjetin dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjatë ndjekjes nga Policia, i riu ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin, duke u përplasur me disa makina. Më pas, ai ka goditur me mjet edhe një punonjës Policie, i cili ka marrë dëmtime të lehta në krah. Sipas Policisë, gjatë veprimeve të kryera dyshohet gjithashtu se 35-vjeçari ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Escape”. Vodhi një automjet dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi disa automjete dhe goditi një punonjës Policie, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari italian. Sekuestrohet automjeti i vjedhur audi Q5, që drejtohej nga 35-vjeçari, pa leje. Pas marrjes së njoftimit se në rrugën dytësore Durrës-Tiranë, pranë një subjekti ishte vjedhur një automjet tip “Audi Q5”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last Escape”, si rezultat i të cilit u bë i mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit italian A. E., 35 vjeç, banues në Itali.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasi A. E., rreth orës 19:00 të datës 29.08.2026, ka vjedhur automjetin tip “Audi Q5” në rrugën dytësore Durrës-Tiranë. Ky shtetas gjatë tentativës për t’u larguar, pas ndjekjes policore, ka përplasur disa automjete të tjera dhe më pas ka goditur me automjet një punonjës Policie, i cili si pasojë ka marrë dëmtime të lehta në krah. Materialet i janë referuar Prokurorisë, për veprime të metejshme.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB