BRAZIL- Është arrestuar në Brazil Ervin Mata. 39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara. Policia njofton se Mata akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë
Më 20 nëntor 2023, SPAK firmosi një urdhër-arresti për Ervin Matën në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, që goditi një rrjet të gjerë trafikantësh droge. Gjatë bisedave të përgjuara në aplikacionin Sky ECC, Mata rezulton se kishte trafikuar një sasi prej 250 kg kokaine nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Në një nga bisedat, Mata u tregon bashkëpunëtorëve se i janë sekuestruar 240 kg kokainë, dhe se do të dilte në gazetë ditën pasardhëse.
Këto biseda çuan më pas në arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe shefit të operacionales Oltion Bistri. Po ashtu, Mata akuzohet se ka përfituar shuma të mëdha parash nga aktiviteti kriminal, si dhe për përfshirje në organizimin dhe financimin e vrasjeve.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Si rezultat i partneritetit të ngushtë me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Wanted”.
Akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë, arrestohet në Brazil, 39-vjeçari.
39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.
Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.
Si rezultat i shkëmbimit dhe koordinimit të informacioneve, në kohë reale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u kap në Brazil, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 39 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në vitin 2023, gjatë një procedimi të regjistruar nga SPAK, janë kryer hetime, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.
Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri.
Në kuadër të këtij procedimi, shtetasi E. M. dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtoret e tij, për trafikimin e 240 kg lëndë narkotike Kokainë, më datë 29.09.2020.
39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, dhe kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit E. M., në Shqipëri.