TIRANË- Ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, është emëruar në krye të Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. Sipas burimeve, vendimi për emërimin e saj është marrë nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Emërimi i Hajnajt vjen pas një procesi ligjor që ajo ndërmori për rikthimin në radhët e Policisë së Shtetit. Sipas ligjit për Policinë, ajo duhej të rikthehej në të njëjtin funksion që kishte mbajtur më parë, por kjo nuk u zbatua nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sakaq, Hajnaj iu drejtua Gjykatës Administrative, duke kundërshtuar mosrikthimin në detyrë, duke çuar në anulimin e garës për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.
Aida Hajnaj ka qenë drejtore e BKH-së deri më 1 shtator të këtij viti. Pasi i mbaroi mandati, ajo nuk është lejuar të kthehet në detyrë, por ndërkohë policia ka hapur garën për drejtorë departamentesh. Hajnaj mori zyrtarisht detyrën më 1 shtator 2020 dhe mandati i përfundon në muajin gusht. Pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së, e cilësuar ndryshe si FBI-ja shqiptare. Asokohe, Hajnaj mbante postin e zv.drejtores së Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hajnaj mori detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Bashkë me të garuan edhe Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Kandidatëve iu bë "vettingu", një test me shkrim dhe fizik, e po ashtu edhe testi i së vërtetës (poligrafi)./ZËRI