ITALI- Autoritetet italiane kanë vënë në praga dy shqiptarë, të cilët hynë të armatosur në një vilë në Longuelo. Plani i "skifterëve" shqiptarë nuk shkoi siç dihet pasi pronari, një ish-financier i Policisë italiane, reagoi në kohë ndaj tyre. Gjithashtu raportohet se i moshuari plagosi njërin prej tyre. 27-vjeçari Edvin Palushi, i plagosur gjatë grabitjes dhe bashkëpunëtori i tij 26 -vjeçar, Fatmir Mollaj, janë arrestuar. Pas një gjykimi të shpejtë, ata u dënuan me 13 vite për grabitje, përkatësisht: Palushi me 5 vjet e 8 muaj me gjykim të shkurtuar dhe Mollaj me 7 vjet e gjysmë me gjykim të zakonshëm, raportojnë mediat fqinje.
Si ndodhi grabitja
I moshuari ka rrëfyer se ndodhej në shtrat kur dëgjoi zhurmë nga tarraca e banesës së tij, në Bergamo. Autorët hynë në shtëpi nga një dritare franceze në pjesën e pasme, e cila ishte hapur me forcë me levë. Teksa i moshuari po shikonte televizor, ai u befasua nga kjo ndërhyrje e dhunshme. Grabitësit me fytyrat e mbuluara me kapuç, e urdhëruan menjëherë që të dorëzonte para dhe sende me vlerë. Teksa i gjetën 500 euro në portofolin e tij, të dyshuarit mbetën të pakënaqur.
“Ata vazhdonin të thoshin: “Para, para!”,-dëshmoi ai, duke nënvizuar presionin dhe agresionin e shfaqur nga grabitësit. Në këto kushte ai ka zgjedhur të vetëmbrohet.
Në një moment tensioni të madh, ish-efektivi iu referua përvojës së tij të kaluar dhe vendosi të reagonte. Ai ka rrëmbyer një armë që kishte vendosur nën jastëk dhe ka qëlluar duke goditur në krah një nga hajdutët.
"Kam qëlluar, por kam synuar në tavan. Nuk e kuptova që njëri prej tyre ishte i plagosur. Edhe mua më erdhi keq kur e mora vesh. Nuk do të më pëlqente kurrë të vrisja një person. Më duhej ta merrja vendimin brenda pak sekondash. Arma është ende e konfiskuar tani, por unë e dua atë dhe do ta vendos përsëri nën jastëk, sepse nuk i dihet",- sqaroi ai, duke sugjeruar se donte të trembte në vend që të lëndonte.
Më pas hajdutët, të frikësuar, ikën duke marrë me vete çantën e plakut. Pas një gjykimi të shpejtë, ata u dënuan me 13 vite për grabitje, përkatësisht: Palushi me 5 vjet e 8 muaj me gjykim të shkurtuar dhe Mollaj me 7 vjet e gjysmë me gjykim të zakonshëm./ZËRI