
TIRANË-Avokati Armand Tragaj, i cili u arrestua dy ditë më parë në operacionin “URA” me akuzën për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pjesëmarrës në grup kriminal, ka mohuar akuzat ditën e sotme para togave të zeza të GJKKO. Avokati i është drejtuar gjykatës me kërkesë për masë më të butë sigurie se sa ajo e arrestit në burg, duke arsyetuar se është i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën e tij familjare.
“Në pyetjet e ushtruara nga ana ime si mbrojtje, ndaj prokurorëve, ishte të percaktojnë shprehimisht pjesmarrësit e grupit, rolin e secilit dhe episodet. Por në asnjë moment nuk ju dha përgjigje kësaj pytje, të bërë nga ana ime për shtetasin Altin Morina, pasi një fakt i tillë nuk ekziston, nuk ka asnje rast ku Altini të ketë rol aktiv në Trafikimin e Narkotikeve apo të ketë qenë pjestar e ndonjë grupi .Ky fakt pohoet edhe nga materialet e përcjella nga autoritetet Italiane, të cilat janë të vetmet prova ku mbështet dyshimi i arsyeshëm, që jane komunikimet e kryera në SKY ECC pa i lidhur me asnjë provë tjetër të vetme. Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatat e mija familjare, ku unë jam me babin e sëmurë, dhe njerkën e paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me femijë të vogël. Dhe për këtë fakt u kërkoj të jem pranë familjes”, ka deklaruar Armand Tragaj.
Tagaj dy vite më parë mori përsipër që të merrte në mbrojtje të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin, pasi ai u arrestuar nga forcat e rendit./ZËRI