TIRANË-Sot në GJKKO u mbajt seanca e parë për çështjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Meta përsëriti kërkesën për transmetim live të procesit gjyqësor dhe për daljen e tij nga kafazi i xhamit, por gjykata i rrëzoi sërish të dyja kërkesat, duke pranuar vetëm aksesin në provat digjitale.
Seanca ishte e hapur vetëm për disa çaste, ku pas largimit të kamerave dhe ndërprerjes së transmetimit live, vijoi sipas agjendës. Fjalën e mori ish-presidenti Meta, i cili iu përgjigj pyetjeve standarde të çdo seance.
“Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, dmth i divorcuar”, u shpreh ai.
Më pas kreu i Partisë së Lirisë vijoi me dëshminë, ku deklaroi se procesi ndaj tij po zhvillohet mbi gënjeshtra dhe fshehje provash nga ana e prokurorisë. Meta akuzoi SPAK-un për fshehje faktesh dhe manipulim të procesit hetimor, por ka pranuar se ka ekzistuar vetëm një pagesë prej 15 mijë dollarësh, e kryer me vendim të kryesisë së LSI-së dhe përmes bankës. Ish-presidenti theksoi se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi vetëm për veprimet e tij personale, ndërsa shtoi se Monika Kryemadhi nuk duhet të mbajë përgjegjësi për çështjen CEZ-DIA.
Dëshmia e Ilir Metës:
Mendoj se duhet të jemi të barabartë para ligjit. Jam shumë i revoltuar të nderuar gjyqtarë, prokurorë pjesëmarrës se veç shumë gënjeshtrave të përsëritura në paraprake dëgjova një gjë shokuese. Prokurori tha se pas hetimit me McKeon kanë dalë që është vetëm një faturë 15 mijë usd. Jam i revoltuar, se që kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë, se kam pasur veç një pagesë 15 mijë usd, me vendim kryesie, me bankë. Në shtator kanë marrë letër porosi për McKeon sikur janë bërë takime në ShBA dhe pagesa të jashtëligjshme. Unë jam rrëmbyer ne 21 tetor ne 12:08 minuta nga persona të panjohur.
Në 14:06 mu komunikua urdhri i prokurorëve të SPAK. Pasi unë arrestohem, në 15 nëntor ka ardhur përgjigje tjetër nga ShBA, saktësim. Zotërinjtë jo vetëm nuk ma kanë bërë të ditur, por në janar më kanë pyetur prapë për McKeon Group. Pasi ju ka ardhur përgjigjja përfundimtare në nëntor mua më pyesnin prapë në janar.
Fara është një portal, ku mijëra kompani i publikojnë për transparencë, por nuk është as gjykatë, as prokurori. Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS nënshkrim i Ilir Metës. Marrëveshja është mes LSI dhe GSIS. Ju z.Kllapi e dinit që në fillim që janë paguar veç 15 mijë usd. Ju ka ardhur tjetër gjë në shtator, tjetër në nëntor. E mbajtët fshehur, më pyetët në janar.
Duhet të sqaroj se kreu i Akep zgjidhet nga kuvendi dhe kreu i Këshillit të Ministrave. Kreu i Këshillit të Ministrave ka qenë Edi Rama. Nuk e propozojnë partitë politike. Ka tendencë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte do e bësh politike. Prokuroria ka fshehur dëshminë e dhënë tek Ndini Tavani në 2011 të Hejsek, ku e bën të qartë që s’i kujtohej emri konkret. Edhe ajo me 200 mijë behet për manipulim të opinionit publik. As merret vesh për çfarë është. As ka ndonjë përgjigje. Unë jam këtu të mbaj përgjegjësi për çdo veprim tim individual. Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për te miat, znj.Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA.