VELIPOJË- Ka hyrë në ditën e gjashtë rezistenca e banorëve në Rjollit në Velipojë. Edhe sot ata shkuan në kantierin e ndërtimit, aty ku kompania GENER 2 po punon për të ndëtuar resortin “Blu Borgo”.
Banorët kanë protestuar kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Ata shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006. Gjithashtu një banor shprehet se protesta nuk do të ndalojë, deri sat ë fitojnë të drejtën e tyre. Ai theksoi se që prej muajit maj të 2025 e kanë çuar në SPAK kërkesën për hetim, edhe pse një këkesë e kthyer pas nga kjo strukturë.
Banori tha se protestat do të vijnë të përshkallëzohen dhe do të jenë çdo ditë në kanterin e ndërtimit, si dhe në SPAK dhe në Prokurorinë e Shkodrës, aty ku SPAK ka referuar çështjen për shqyrtim.
"Unë jam i përfaqësuesi i Shullajve, që kemi letrat e tokës, 400 dynym tokë. Që e kemi bërë me dokumenta të rregullta. Në 2006-ën kemi një vendim gjykate që e kemi fituar. Në 2008-ën Sali Berisha ka nxjerrë një ligj që ne e kemi fituar me urdhër të premë. Edhe ne fjetëm mendjen...
Sot është dita e gjashtë. Dje kemi bërë një protestë shumë pak njerëz, por kemi bërë një protestë që është e papame. Sot po mblidhet populli, e shihni vetë. Çfarë do të vijnë, do të shihet javën tjetër. Kjo do të jetë një protestë që nuk do të mbyllet as sot, as këtë muaj. I bëjmë thirrje shtetit. I bëjmë thirrje tërë shtetit tonë, shtetit shqiptar. T'i vënë këto letra në dukje.
I bëjmë thirrje SPAK-ut. Kemi qenë përpara SPAK-ut, një vit po bëjmë në maj, që na ka çuar, para 10 ditësh na ka çuar në Shkodër. Ne jemi, të hënën do të bllokojmë derën e Shkodrës, te prokuroria. Dhe janë pak sot çfarë do të shkojnë të hënën në Tiranë. Punëtorët e firmës janë duke punuar, gjithçka në këtë dynym janë duke punuar. Sot për sot, nuk e di a janë duke punuar, a janë duke punuar prapë? Janë bllokuar fije... a janë bllokuar se na ka policë pak? A janë bllokuar se u duket popull shumë?
Ata ta zgjidhin vetë. Por kjo do të jetë një protestë që nuk do të bëjmë vaki në tërë botën, që do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë. Kjo protestë as mbyllet sot, as këtë muaj. I bëjmë thirrje që tërë emigrantët, të mblidhen në këtë tokë. T'i dalim zot tokave të parëve tanë, që na e kanë lënë me djersë, ka ndenjur zveshur, zbathur, ka jetuar në kasolla, nuk ka jetuar luksoze," tha banori.
Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI