TIRANË- Biznesmeni italian, Massimo Ferro, ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për humbje peshe në një klinikë private në Tiranë, Trita Hospital. Pas ndërhyrjes në klinikë, 54-vjeçari ka ndërruar jetë në QSUT. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe ka çuar në hapjen e një hetimi penal.
Por, çfarë ndodhi konkretisht? Fillimisht biznesmeni italian ka kontaktuar në dhjetor përmes mesazheve në WhatsApp, me kirurgun, Andrea Formiga, ku i është dhënë informacione për ndërhyrjen, kostot dhe organizimin logjistik.
Gjatë vizitës së 6 dhjetorit 2025, ku Ferro u paraqit së bashku me djalin e tij të madh, në Trita Hospital, ku edhe ka kryer ndërhyrjen në stomak.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se ndërhyrje të tilla në pacientë me diabet, janë thellësisht të rrezikshme. Në rastin konkret, pavarësisht se Massimo Ferro vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u programua pa asnjë pengesë. Po ashtu, sipas kallëzimit të familjes, muk ka pasur një program paraprak dietetik, asnjë vlerësim multidisiplinar dhe asnjë përgatitje specifike para operacionit. E vetmja këshillë e dhënë ishte që pacienti të qëndronte esëll që nga mbrëmja para ndërhyrjes.
Lidhur me rastin, Prokuroria e Padovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ndërhyrjes dhe për të verifikuar nëse janë respektuar protokollet mjekësore të parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare./ZËRI
