EKUADOR- Autoritetet e drejtësisë së Ekuadorit kanë zhvilluar një operacion ditën e sotme, ku janë arrestuar 26 persona të cilët i përkisnin grupit të Los Lagartos. Sipas mediave ekuadoriane, ky grup kriminal kishte lidhje me mafien shqiptare. Në lidhje me këtë, policia ekuadoriane ka kryer 20 kontrolle në provincat Guayas, Los Rios, Manabi dhe Chimborazo.
Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 300 kilogramë drogë dhe 5 automjeteve luksoze. Autoritetet vlerësojnë se droga e sekuestruar përfaqëson një humbje ekonomike prej më shumë se 68 milionë dollarësh për organizatat kriminale. Operacioni u zhvilluar në kuadër të hetimit që nisi në vitin 2024, pas zbulimit të 1.1 ton drogë të fshehur në një ngarkesë që transportonte material me përmbajtje ari.
Mediat ekuadoriane shkruajnë se struktura kriminale operonte përgjatë gjithë zinxhirit logjistik të transportit të mallrave, duke rekrutuar persona të lidhur me portet, sigurinë private dhe transportuesit, për të lehtësuar nxjerrjen e drogës jashtë vendit. Autoritetet theksuan se gjatë hetimit u përdorën edhe operacione të kontrolluara, për të ndjekur gjurmët e drogës dhe për të arritur shkatërrimin e plotë të strukturës kriminale, si në Ekuador ashtu edhe jashtë vendit.
Artikulli i plotë:
Mëngjesin e kësaj të enjteje, 12 mars, u konfirmua arrestimi i 26 personave në kuadër të operacionit ‘Bremen’. Sipas deklaratave të ministrit të Brendshëm, John Reimberg, operacioni bëri të mundur shkatërrimin e një strukture kriminale të lidhur me trafikun e drogës, e cila kishte lidhje me mafien shqiptare dhe grupin e krimit të organizuar Los Lagartos, pas një hetimi që zgjati 20 muaj dhe përfshiu operacione në disa provinca të vendit.
Sipas ministrit, ky operacion përfaqëson një goditje ndaj ekonomive kriminale të mafies shqiptare dhe krahut të saj operativ në Ekuador, Los Lagartos. Në kuadër të operacionit u kryen 20 kontrolle (bastisje) në provincat Guayas, Los Ríos, Manabí dhe Chimborazo. Këto ndërhyrje çuan në arrestimin e 26 personave, sekuestrimin e rreth 300 kilogramëve drogë dhe konfiskimin e pesë automjeteve luksoze.
Sipas ministrit të Brendshëm, hetimi nisi pas zbulimit të 1.1 ton drogë në vitin 2024, e fshehur në material aurifer (material me përmbajtje ari). Ky rast u bë publik kur autoritetet zbuluan ngarkesën e kontaminuar. Pas këtij zbulimi, hetimi u thellua dhe çoi gjithashtu në sekuestrimin e rreth 2.5 tonëve të tjerë drogë.
Ministri njoftoi se operacioni pati pjesëmarrjen e organizmave ndërkombëtarë, ndër të cilët edhe Royal Canadian Mounted Police, agjentët e së cilës bashkëpunuan në territorin e Ekuadorit për të identifikuar anëtarët e rrjetit kriminal dhe për të koordinuar veprime edhe jashtë vendit.
Sipas autoriteteve, ndërkohë që në Ekuador po kryheshin bastisjet, operacione të njëkohshme u zhvilluan edhe në vende të tjera, për të arrestuar personat që prisnin drogën jashtë vendit. Autoritetet vlerësojnë se droga e sekuestruar përfaqëson një humbje ekonomike prej më shumë se 68 milionë dollarësh për organizatat kriminale.
Banda kontaminonte kontejnerët
Sipas hetimeve, struktura kriminale operonte përgjatë gjithë zinxhirit logjistik të transportit të mallrave, duke rekrutuar persona të lidhur me portet, sigurinë private dhe transportuesit, për të lehtësuar nxjerrjen e drogës jashtë vendit. Ministri bëri të ditur gjithashtu se ngarkesat e paligjshme fshiheshin në kontejnerë që transportonin material aurifer dhe banane. Në disa raste droga vendosej para hyrjes së kontejnerëve në port, ndërsa në raste të tjera kontaminohej ngarkesa ose struktura e brendshme e kontejnerëve gjatë transportit.
U identifikua se rrugët e përdorura për transportimin e drogës kalonin nëpër disa provinca, gjë që shpjegon praninë e të arrestuarve në Chimborazo, ku një pjesë e organizatës merrej me transportin dhe logjistikën e lëvizjes së drogës. Autoritetet theksuan se gjatë hetimit u përdorën edhe operacione të kontrolluara, për të ndjekur gjurmët e drogës dhe për të arritur shkatërrimin e plotë të strukturës kriminale, si në Ekuador ashtu edhe jashtë vendit./ZËRI