Aktualitet

Gënjeu në formularin e vetëdeklarimit, Prokuroria e Fierit çon për gjykim anëtarin e Këshillit Bashkiak të Lushnjës

Bëhet me dije se më 15 shkurt 2006 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte ndaluar Muçon nën dyshimin për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese.

I.F
Gënjeu në formularin e vetëdeklarimit, Prokuroria e Fierit
Foto ilustruese

FIER- Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim anëtarin e Këshilli Bashkiak Lushnjë, Arianit Muço. Sipas Prokurorisë, Muço akuzohet për falsifikim pasi dyshohet se ka deklaruar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit. Në vitin 2023, Muço ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, ku ka deklaruar se nuk kishte qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese dhe se ndaj tij nuk ishte vendosur ndonjë masë sigurie personale.

Por, sipas hetimeve dhe verifikimeve të kryera nga organi i akuzës ka rezultuar se ai kishte qenë më parë i ndaluar dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, për të cilën kishte qëndruar rreth pesë muaj në paraburgim. Bëhet me dije se më 15 shkurt 2006 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte ndaluar Muçon nën dyshimin për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese.

"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M., anëtar i Këshillit Bashkiak, Lushnjë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, parashikuar nga neni 190 i K.Penal. Nga hetimet mbi procedimin penal nr.419, të regjistruar mbi bazën e materialit dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 01.04.2025,u provua se, i pandehuri A.M, me detyrë anëtar i Këshillit Bashkiak Lushnjë, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i vulave, stamapve ose i formularëve”, parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal, pasi ai ka paraqitur të dhëna jo të sakta (të rreme), që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe nuk i përgjigjen realitetit në Formularin e Vetëdeklarimit "Për zbatimin e ligjit nr.138/2015 "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, depozituar në Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve më datë 23.03.2023. Konkretisht, në formularin e lartëpërmendur, plotësuar dhe nënshkruar nga i pandehuri A.M, rezulton se në faqen 4, në rubrikën me numër ˝4” ku pyetet: ˝A keni qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese, për kryerjen e një vepre penale?”, shtetasi A.M ka shënuar ˝Jo”. Gjithashtu , në rubrikën me numër ˝5” ku pyetet: ˝A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo? ”, shtetasi A.M ka shënuar ˝Jo”. Ndërkohë gjatë hetimit rezulton e provuar e kundërta, pra, që shtetasi A.M ka qenë ndaluar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit ˝Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ku ai ka qëndruar në periudhë paraburgimi për një kohë prej 5 muajsh. Konkretisht, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë më datë 15.02.2006 ka ndaluar shtetasin A.M., dyshuar për kryerjen e veprës penale ˝Shfrytëzim prostitucioni”, në rrethana rënduese, parashikuar nga neni 114/a/5 i K.Penal. Ndalim i cili është vleftësuar i ligjshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.42 Regj., datë 19.02.2006, duke caktuar ndaj shtetasit A.M masën e sigurimit ˝Arrest në burg” pa afat, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”, njofton Prokuroria./ZËRI

Poll

MOS HUMB