Aktualitet

Akuzohej për abuzim fizik ndaj stafit, René Rexhepi jep dorëheqjen nga “Noma”

Rexhepi, i cili është me origjinë shqiptare dha dorëheqjen pasi New York Times publikoi një artikull rreth akuzave tronditëse të ngritura ndaj tij për abuzim fizik dhe psikologjik, përfshirë pretendime se ai “ka goditur punonjësit në fytyrë, i ka thumbuar me mjete kuzhine dhe i ka përplasur nëpër mure”.

I.F
Akuzohej për abuzim fizik ndaj stafit, René Rexhepi jep
René Rexhepi

KOPENHAGEN- Shefi kryesor dhe bashkëthemeluesi i restorantit Noma, René Rexhepi përmes një njoftimi në rrjetet sociale lajmëroi se dha dorëheqjen nga restoranti i tij me famë ndërkombëtare në Kopenhagë pas akuzave se kishte abuzuar fizikisht me stafin e tij. Rexhepi, i cili është me origjinë shqiptare dha dorëheqjen pasi New York Times publikoi një artikull rreth akuzave tronditëse të ngritura ndaj tij për abuzim fizik dhe psikologjik, përfshirë pretendime se ai “ka goditur punonjësit në fytyrë, i ka thumbuar me mjete kuzhine dhe i ka përplasur nëpër mure”.

“Javët e fundit kanë sjellë vëmendje dhe biseda të rëndësishme rreth restorantit tonë, industrisë dhe lidershipit tim të kaluar. Kam punuar për të qenë një lider më i mirë dhe Noma ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të transformuar kulturën gjatë shumë viteve. E kuptoj që këto ndryshime nuk e riparojnë të kaluarën. Një kërkimfalje nuk është e mjaftueshme; unë marr përgjegjësinë për veprimet e mia.

Pas më shumë se dy dekadash ndërtimi dhe drejtimi të këtij restoranti, kam vendosur të largohem dhe t'u lejoj liderëve tanë të jashtëzakonshëm ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të ardhshëm. Gjithashtu kam dhënë dorëheqjen nga bordi i MAD, organizata jofitimprurëse që themelova në vitin 2011.

Për këdo që pyet veten se çfarë do të thotë kjo për restorantin, më lejoni ta them qartë: ekipi i Noma sot është më i forti dhe më frymëzuesi që ka qenë ndonjëherë. Ne kemi qenë të hapur për 23 vjet dhe jam jashtëzakonisht krenar për njerëzit tanë, kreativitetin tonë dhe drejtimin që po merr Noma.

Ky ekip do të vazhdojë përpara së bashku në rezidencën tonë në Los Angeles, e cila do të jetë një moment i fuqishëm për ta për të treguar se për çfarë kanë punuar dhe për të mirëpritur mysafirët në diçka vërtet të veçantë.

Misioni i Noma-s për të ardhmen është të vazhdojë të eksplorojë ide, të zbulojë shije të reja dhe të imagjinojë se çfarë mund të bëhet ushqimi dekada nga tani. Noma ka qenë gjithmonë më e madhe se çdo person i vetëm. Dhe ky hap tjetër nderon këtë besim”, shkruan Rexhepi në postimin e tij.

Dorëheqja e tij vjen pasi American Express dhe Blackbird, një kompani mikpritjeje, ndërprenë lidhjet me Noma para hapjes në Los Angeles. Raporti i New York Times mbi abuzimin e tij bazohej në intervista me 35 ish-punonjës dhe përshkruante një “model ndëshkimi fizik” dhe “traumë të qëndrueshme nga shtresa të abuzimit psikologjik, përfshirë intimidimin, turpërimin e trupit dhe talljen publike”. Shefi i kërcënonte se do të bllokonte punonjësit në industrinë e ushqimit, do të deportonte familjet e tyre dhe do të shkarkonte anëtarë të familjes nga punë të tjera, sipas raportit./ZËRI

Poll

MOS HUMB