Aktualitet

BE e shqetësuar për lirinë e medias: Ndryshimet në Kodin Penal, mund të kenë ndikim negativ

BE konfirmon se aktualisht po analizon ndryshimet, por shpreh shqetësim për disa prej dispozitave të reja që mund të cenojnë lirinë e medias dhe të drejtat e qytetarëve.

F.I
BE e shqetësuar për lirinë e medias: Ndryshimet në Kodin
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Pas prezantimit të parë të Kodit të Ri Penal më 25 korrik dhe diskutimeve të përsëritura nga Ministria e Drejtësisë, disa nga dispozitat e reja vijojnë të ngjallin debat, veçanërisht ato që prekin lirinë e shprehjes dhe shpifjen një reagim ka ardhur nga Bashkimi Evropian.

BE konfirmon se aktualisht po analizon ndryshimet, por shpreh shqetësim për disa prej dispozitave të reja që mund të cenojnë lirinë e medias dhe të drejtat e qytetarëve.

“Ne jemi në dijeni të shqetësimeve serioze të shprehura nga përfaqësues të sektorit të drejtësisë, si edhe nga shoqëria civile, në lidhje me një sërë projekt-ndryshimesh. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për disa amendamente të propozuara nga grupi i punës që mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Këto dispozita nuk janë të përafruara me standardet e BE-së dhe ne jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësimin, këto shqetësime do të adresohen. Ky rishikim më i gjerë i Kodit Penal është një ndërmarrje komplekse, me ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë penale. BE-ja thekson rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si edhe me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë përkatës, me qëllim që legjislacioni që do të rezultojë të jetë i cilësisë më të lartë,"-shprehet Bashkimi Europian për TopChannel.

Në tryezën e parë të diskutimeve Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi u shpreh se me ndryshimet e reja kriminalizohet shpifja duke u ndalur specifikisht në profesionin e gazetarëve. Sipas Rakipit, përjashtimi i gazetarëve nga përgjegjësia penale për shpifjen është një qasje problematike në vetvete. Rakipi arsyetoi se misioni i gazetarit është i lidhur me të vërtetën dhe jo me shpifjen, ndaj dhe sipas tij, nuk është e nevojshme që gazetarët të përjashtohen në mënyrë të veçantë nga neni përkatës.

Në lidhje me mdryshimet në Kodin Penal, Organizatat e Shoqërisë Civile ka shprehur shqetësimin, ku arsyeton se risitë cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe të shprehjes në vend. Konkretisht sipas Organizatës, dispozitat e propozuara në nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), përmbajnë elemente shqetësuese të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave dhe shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi. 

Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese. Drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuvend në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator./ZËRI

Poll

MOS HUMB