TIRANË-Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi në tryezën e diskutimeve, u shpreh se me ndryshimet e reja kriminalizohet shpifja duke u ndalur specifikisht në profesionin e gazetarëve. Sipas Rakipit, përjashtimi i gazetarëve nga përgjegjësia penale për shpifjen është një qasje problematike në vetvete.
Rakipi arsyetoi se misioni i gazetarit është i lidhur me të vërtetën dhe jo me shpifjen, ndaj dhe sipas tij, nuk është e nevojshme që gazetarët të përjashtohen në mënyrë të veçantë nga neni përkatës. Megjithatë, ai njohu shqetësimin që ekziston për të mbrojtur gazetarin nga penalizimi kur ka gabuar në mirëbesim.
Arben Rakipi: Sa i përket shpifjes, kërkesa për të përjashtuar gazetarin për mendimin tim është fyese për gazetarët dhe në një farë mënyre ne i licensojmë ata që të shpifin. Apo më keq akoma, paragjykon duke lënë të kuptohet që ata shpifin. Shpifja nuk lidhet me punën e tyre. Shqipërisë nuk mund t’i vijë e keqja nga parashikimi i shpifjes në Kod Penal. Unë mendoj që pikëpamja të zbutet dhe të vendoset një ekuilibër i interesave në këtë. Unë uroj që çështja të mos rrezikojë standardet juridike. Dekriminalizimi i shpifjes nuk është standard ndërkombëtar. Depenalizimi i shpifjes është një orientim politik dhe gjyqësor, që ka filluar të përkrahet në disa vende, në pakicën e vendeve të BE dhe të OSBE-së. Vendet e rajonit e kanë depenalizuar. Duke mos qenë standard atëherë i shtohen pikët plotësimit të nevojave të vendit, na duhet apo jo? Megjithatë konsultimi publik do të na ndihmojë në këtë drejtim. Mund të dëgjohet edhe mendimi i viktimave. Mund të bëhet një analizë e përhapjes, sa e përhapur është shpifja dhe kush shpif? Kjo e fundit mund të ndihmojë për të mos vlerësuar si subjekte profesione të caktuara. Kosova e ka depenalizuar, por kjo nuk është normë e imponuar ndërkombëtarisht. Çështja është të mos anashkalojmë elementet juridike.
Nga ana tjetër në lidhje me mdryshimet në Kodin Penal, Organizatat e Shoqërisë Civile ka shprehur shqetësimin, ku arsyeton se risitë cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe të shprehjes në vend. Konkretisht sipas Organizatës, dispozitat e propozuara në nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), përmbajnë elemente shqetësuese të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave dhe shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi
"(Shpifja) vazhdon ta mbajë shpifjen si kundravajtje penale, në kundërshtim të hapur me rekomandimet ndërkombëtare dhe vendase dhe standardet e Këshillit të Evropës, duke rritur ndjeshëm gjobat dhe duke hequr kriterin thelbësor të "dijenisë se informacioni është i rremë". Kjo situatë i ekspozon gazetarët ndaj ndjekjeve penale edhe kur kanë qenë në mirëbesim, duke rritur pasigurinë juridike dhe frikën e raportimit kritik. Sanksionet janë shumë të ashpra, sidomos kur shpifja kryhet përmes shtypit, medias elektronike apo rrjeteve sociale, duke rrezikuar efekt frenues mbi lirinë e medias dhe raportimin kritik,'-deklaroi organizata./ZËRI