Aktualitet

BE: Nuk ishim pjesë e hartimit të Kodit të ri Penal, konsultohuni me institucionet e Drejtësisë

Bashkimi Europian vë theksin te procesi gjithëpërfshirës që duhet të shoqërojë miratimin e Kodit të ri Penal.

F.I
BE: Nuk ishim pjesë e hartimit të Kodit të ri Penal, konsultohuni
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Bashkimi Europian ka reaguar sot për draftin e ri të Kodit Penal u prezantua javën e kaluar nga krerët e sistemit të Drejtësisë në vend. BE konfirmon për TCH se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve gjatë diskutimeve të hartimit të dispozitave të Kodit Penal, por vë theksin te procesi gjithëpërfshirës që duhet të shoqërojë miratimin e tij.

REAGIMI I PLOTË:

Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria. Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.

Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.

Kodi i ri Penal

Gjithsej janë bërë 30 ndërhyrje në Kodin Penal. Kodi i Ri parashikohet të jetë me 327 nene, në krahasim me atë aktualin i cili ka 285 nene e 550 paragrafe. Kodi i ri organizon veprat penale në mënyrë më logjike dhe me më pak përsëritje, për shembull, krimet seksuale, korrupsioni, dhuna familjare, janë të grupuara qartë. Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me lirimin e të dënuarve përjetë. Mashtrimi do të ndëshkohet me 5 vjet burg, krahasuar me maksimale 3 vjet në ligjin aktual. Për trafik droge, kodi i ri parashikon dënime nga 5 deri 15 vjet burg, ndërsa kodi aktual kishte maksimum 10 vjet në raste të rënda. Paraburgimi dhe llogaritja e tij kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Risitë e reja përfshijnë edhe krimin kibernetik, sigurinë ushqimore, mjedisin, prishja e qetësisë publike dhe janë ashpërsuar masat për të miturit./ZËRI

Poll

MOS HUMB