Aktualitet

Pas thirrjes së Berishës, Avokati i Popullit nis hetimet për trajtimin e Veliajt në paraburgim

Vetë Veliaj, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ka akuzuar Drejtorinë e Burgjeve për trajtimin e tij.

F.I
Pas thirrjes së Berishës, Avokati i Popullit nis hetimet për
Erion Veliaj

TIRANË-Avokati i Popullit ka nisur hetimet për mënyrën e trajtimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë kohës së paraburgimit. Verifikimet janë fokusuar në shoqërimin e tij nga ambientet e paraburgimit në Durrës drejt një klinike private, ku ai iu nënshtrua disa analizave mjekësore. 

Burime bëjnë me dije se Komisioneri për Parandalimin e Torturës pranë institucionit të Avokatit të Popullit, Ahmet Prenci, ka zhvilluar kontakt të drejtpërdrejtë me Veliajn për të marrë informacion mbi kushtet e trajtimit të tij dhe respektimin e të drejtave të njeriut në institucionin e paraburgimit.

Vendimi vjen pas thirrjes së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili në një deklaratë për shtyp i kërkoi Avokatit të Popullit të nisë hetime mbi sjelljet që po bëhen në burg ndaj Ilir Metës dhe Erion Veliajt. Berisha arsyetoi se kryebashkiaku gëzon të drejta themelore, të cilat sipas tij janë shkelur, duke denoncuar se ndaj Veliajt janë kryer manipulime dhe akte të rënda, të dënueshme.

"Më duhet të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj. Partia Demokratike ka bërë me dhjetëra e dhjetëra protesta për arrestimin e këtij delinkuenti, i cili është akuzuar as për 20 përqind të krimeve që ka kryer. Por, cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës. Vijnë të dhëna se ndaj këtij të burgosuri janë kryer manipulime dhe akte të rënda, të dënueshme ndaj dhe unë i kërkoj Avokatit të Popullit të nisë një hetim të plotë edhe për qëndrimet ndaj këtij delinkuenti ordiner, por që në një vend anëtar të Këshillit të Europës gëzon ato të drejta që ligjet e vendit u njohin personave të burgosur,"- u shpreh Berisha.

Vetë Veliaj, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ka akuzuar Drejtorinë e Burgjeve për trajtimin e tij. Mbrojtja ligjore e Veliajt ka ngritur pretendimet se është shkelur çdo protokoll mjekësor dhe trajtim njerëzor, pasi krybashkiaku u shoqërua prej rreth 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së gjatë një vizite në një klinikë private. Veliaj në ragimin e tij ngriti 7 pyetje nëse ka një koordim mes prokurorisë dh gjykatës në këtë sulm siç ai e quan ndaj kryetarit të bashkisë.

"Lajmi i mirë është se kam kaluar vetting-un 21-vjeçar, të paprecedentë për asnjë politikan në Shqipëri. Shto këtu edhe voyerism-in absurd, intimidimin dhe poshtërimin nga agjentët, në sallë të operacionit, para dy javësh, për t’u siguruar që, përveç vetting-ut të jashtëm, të kaloja edhe vetting-un e brendshëm të të gjithë organeve – nga ezofagu gjer në rektum – shoqëruar nga 30 roje të policive të ndryshme, të burgut, shtetit etj. Edhe kjo, pjesë e kësaj innuendo të qëllimshme dhe poshtëruese, ku fillimisht zgjidhet preja dhe, nëse nuk gjendet asnjë provë penale në punën e viktimës, kalohet në vetting që nga udhëtimet e moshës 25 vjeç, pa funksion politik, gjer në kolonoskopinë e 2025-ës. Dhe kur prapë nuk gjendet asgjë, i hapin dosje bashkëshortes, vëllait, nënës, vjehrrit të ndjerë, kushërinjve dhe gjithë fisit e rrethit shoqëror – të gjithë në punët e tyre private. Pse më ndalohen takimet me avokatët e mi ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen time për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse Konventa Europiane - ku Shqipëria është palë - garanton qartë të drejtën themelore për t’u mbrojtur dhe zgjedhur lirisht përfaqësim ligjor?”, shkruan Veliaj.

Por kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk pati një përgjigje për pyetjet dhe akuzat e ngritura nga kryebashkiaku. Dumani tha se nëse avokatët kanë pretendime mund të bëjnë , pasi kjo është rruga zyrtare.

"Nuk i përgjigjemi të pandehurve, vetëm në rrugë ligjore kur ka pretendime, kur sillen memo nga avokatet, kjo është forma proceduriale. Dosja Veliaj është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale", tha Dumani. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është zyrtarisht i pandehur, ku akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB