TIRANË-Biznesmeni dhe investitori nga Kosova Behgjet Pacolli ka reaguar për zhvillimet e fundit lidhur me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke hedhur poshtë çdo lajm që lidhet me çështje ligjore. Gjykata e Tiranës ka vendosur që të bllokojë çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Teksa përflitet se nda Pacollit është regjistruar një hetim në Prokurorinë e Tiranës, biznesmeni shprehet se e gjitha është një komplot dhe ofendim kundër emrit të rij.
Pacolli shprehet se nuk është thirrur kurrë në asnjë proces gjyqësor dhe thekson se ka dhënë kontributin e tij të ndershëm, me qindra miliona euro investime, që vijnë 100% nga asetet e tij personale. Sa i përket Aeroportit të Vlorës, biznesmeni deklaron se nuk ka prekur asnjë para publike dhe kërkon të lejë në qytetin bregdetar një trashëgimi.
REAGIMI:
ÇFARË ËSHTË KY KOMPLOT I KOORDINUAR NË SHQIPËRI KUNDËR EMRIT TIM,
Pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?! Çfarë janë këto ofendime? Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse? Unë, përveçse po përpiqem të mbroj pronën time, nuk kam dhënë asnjë intervistë dhe nuk kam iniciuar asnjë proces gjyqësor që të shërbejë si shkak për përfolje. Duket qartë se dikush tjetër po merret me këto procese, ndërkohë që unë deri më sot nuk jam ftuar nga askush për të dhënë as dëshminë, as sqarimet e mia. Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja, por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon.
Kam dhënë kontributin tim të ndershëm, me qindra miliona euro investime, që vijnë 100% nga asetet e mia personale, të dokumentuara dhe të garantuara me fondet dhe kolateralet e mia private. Asnjë qindarkë publike — çdo gjë ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica ime. Faktet, dokumentet dhe Zoti janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të mira. Dua të lë në Vlorë një trashigemi duke e ditur mirë që ky investim me vështirësi do të rikthehet. Por një gjë është e sigurt:
Nuk mund të duroj më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi im! Këto sulme të organizuara do t’i përballoj me të vërtetën dhe me faktet në dorë.
Më tej, në një koment poshtë postimit të tij, Pacolli ka bërë një reagim të shkurtër lidhur me lajmet po qarkullojnë së fundmi për projektin e Aeroportit të Vlorës, duke i quajtur teori konspirative. Sipas tij, këto shkrime e teori vijnë nga persona që Pacolli thotë se u ka ndërprerë “tagjinë” për shkak të abuzimeve.
KOMENTI:
“Ditët e fundit po qarkullojnë artikuj të sponsorizuar, thashetheme e teori konspirative nga individë të cilëve u kam ndërprerë ‘ushqimin’ për shkak të abuzimeve evidente që kanë kryer. Besoj fort se drejtësia do të veprojë në mënyrë të paanshme dhe ligjore, duke bërë detyrën e saj ashtu siç duhet.”

Sipas një vendimi, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Në një shkrimin të publikuar nga Hashtag.al bëhet me dije se Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës. Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve. Në hetim dyshohet për indicie se Pacolli është duke lidhur ujdi shumë larg për të vënë kolateral aeroportin e Vlorës. Veprimet e tij kanë lënë gjurmë pranë Astanas, Kazakistan./ZËRI

