Aktualitet

Këlliçi 2 orë në SPAK: U pyeta për gjithçka, nga diploma e gjimnazit, tek pasuria e partneres!

Vetë para mediave, Belind Këlliçi tha se është pyetur për gjithçka, nga pasuria e partneres së tij, me të cilën e theksoi se nuk bashkëjeton, deri tek fotot me Donald Trump, por shtoi se i është kërkuar që të mos japë informacione për shkak të sekretit hetimor.

k.m.
Këlliçi 2 orë në SPAK: U pyeta për gjithçka,
Belind Këlliçi

TIRANË- Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka shkuar sot në SPAK. Pas më shumë se 2 orësh, demokrati doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku para mediave dha më shumë detaje për arsyen se përse ishte thirrur nga hetuesit. Vetë para mediave, Belind Këlliçi tha se është pyetur për gjithçka, nga pasuria e partneres së tij, me të cilën e theksoi se nuk bashkëjeton, deri tek fotot me Donald Trump, por shtoi se i është kërkuar që të mos japë informacione për shkak të sekretit hetimor. Gjithashtu zbuloi se ishte pyetur edhe për çështjen e dëftesës së shkollës së gjimnazit. 

"Sot jam paraqitur në SPAK në lidhje me një kallëzim nga një mashtrues i dënuar me vendim gjykate 1 vit para se të lindja. Kam lindur në 1987 kam dhënë të gjitha sqarimet e mia shterues për shpifjet, vrerin e hedhur ndaj meje se kam rrëzuar një skemë korruptive dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve 5D. Jam i hapur për çdo pyetje dhe çdo sqarim të mëtejshëm me mua, familjen time që nga dita që kam lindur 25.1.9187 e deri më sot. Nëse dikush mendon se duke përdorur persona të diskredituar që nga 1986 do më mbyllë mua gojën e ka gabim.

Arsimi dhe edukimi im është krenaria ime më e madhe. Jam diplomuar me nderimet më të larta në shtetin e Meriland. Kam ndjekur ligjin amerikan në cdo praktike që kam ndjekur. Jam një nga krenaritë e Institutit Harry Fullz, mund të shkoni të pyesni aty kush jam unë. Kam shok klase, kam shoqe klase, kam mësues, nuk jam një njeri anonim që nuk më njeh askush. Mund të shkoni edhe në shkollën 8-vjecare. Po jua them, edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës time. Nëse keni interes për korrupsionin që ndodh cdo ditë, një nga krenaritë e mia më të mëdha është denoncimi që kam bërë për 5D dhe inceneratorin e Tiranës. Kush mendon se do të më intimidojë në rrugëtimin tim, të më dalë ballë për ballë. Të më nxjerrin fytyrën e vërtetë. Qoftë Erion Veliaj, qoftë Karlo Bolino, kushdo që përdor persona të tretë të më dalë ballë për ballë. Kushdo që mendon se do të më intimidojë, në rrugëtimin tim qytetar, jo vetëm politik, por qytetar mbi të gjitha, për të bërë drejtësi në këtë vend, të më dalë ballë për ballë. Nuk kam asnjë problem me askënd. Të jap çdo lloj sqarimi. Të mos përdorin këto lloj mekanizmash për të zhvendosur vëmendjen nga lajmi i ditës që sigurisht është ardhja e kreut të 5D.

Mund të pyesni Prokurorinë e Posaçme pasi për disa detaje të hetimit, më është kërkuar të mos shprehem publikisht. Jam pyetur për të gjitha, për partneren time që unë dal në media dhe them nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë që ajo kujdeset për familjen e saj. Më pyeten sikur kam deklaruar sikur kam thënë që bashkëjetoj me të. Më pyetën për të gjitha deklaratat e rrema që janë bërë në raport me mua. Për Trump, jam pyetur sikur paskam paguar dhjetëra mijëra euro për të bërë një foto me presidentin e SHBA-ve. Po ta pyesin Trump çfarë të them unë. Unë këto deklarata i kam dhënë vetë, e kam sqaruar që kam pasur 0 kosto financiare. Jam pyetur për gjithçka. Megjithatë, më është kërkuar të ruaj sekretin hetimor patjetër, e kam të limituar dhe informacionin që mund t’ju jap. Prisni reagimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme. Për dosjen 5D do të kem një reagim zyrtar në momentin që do të shohë informacionin zyrtar nga Prokuroria e Posaçme.

Në raport me rolin e titullarit të Autoritetit Kontraktor ka qenë një vendim i Apelit të GJKKO, që ka kërkuar të hetohet roli i titullarit të Autoritetit të Kontraktorit. Deri në vitin 2021 ka qenë vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, nga viti 2021 e më pas ka qenë zëvendës kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Mazniku. Megjithatë, për të qenë korrekt, për të qenë krejt etik, në zbatim të plotë të ligjit, më jepni kohë dhe mundësinë të lexoj njoftimet zyrtare sepse nuk kam informacion dhe unë do të kem reagim publik për gjithçka. Ta dini se nuk mundet që një titullar instuticioni që di edhe sa like e share merr në Facebook, të mos dijë që stafi i tij më i ngushtë elektoral dhe administrativ ka vjedhur me dhjetëra e miliona euro. Për mua është lajm i keq, po e them dhe njëherë, çdo ditë që dëgjojm se dikush shkon në burg, sigurisht që për mua është lajm i keq. Por, kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit, por jo të përdorin “mish për top”, ata që kanë ekzekutuar vendimet dhe ata që kanë marrë vendimet të mos i hyj gjë në këmbë. Unë e kuptoj që nëse i hyjmë inceneratorit të Tiranës deri në fund, kreu i kësaj pune nuk është as Erion Veliaj, por është Edi Rama. Nuk mund të shkojnë drejtorë të dalë në pension, apo zyrtarë të rëmdomtë të Bashkisë së Tiranës në burg për vjedhjet e Erion Veliajt dhe të Edi Ramës. E njëjeta gjë dhe ke 5D, nuk mund të mbash në burg drejtorë që kanë ekzekutuar skemën e imponuar nga Veliaj dhe të mos merret në pyetje, kjo është absurde. Megjithatë nuk kam dalë këtu për t’i dhënë mend drejtësisë, por për të mbajtur qëndrimin tim dhe për të bërë detyrën time si qytetar dhe si politikan", tha Këlliçi.

Sipas asaj që bëhet me dije deri më tani, Këlliçi po merret në pyetje lidhur me një kallëzim të bërë ndaj tij për falsifikimin e diplomës së gjimnazit, një kallëzim i depozituar nga avokati Idajet Beqiri. Sipas Beqirit, Këlliçi duhet të akuzohet për dy vepra penale: mospërfundimi i arsimit të mesëm në institucionin "Harry Fultz" dhe falsifikim dokumentesh për t'u regjistruar studimet universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se Këlliçi pretendon se e ka përfunduar shkollimin në arsimin e mesëm, SPAK ka nisur hetimet, ndërsa çështja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj. Po ashtu, mësohet se Këlliçi është nën hetim edhe për shkak se akuzohet se nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë të partneres së tij, Ana Shkreli. Por vetë Këlliçi tha se nuk bashkëjeton me partneren e tij dhe se këtë e ka deklaruar publikisht. 

Por çfarë dimë deri më tani lidhur me çështjen e diplomës së Këlliçit?

Çështja e shkollimit të tij ishte një diskutim i gjatë që u zhvillua gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2023, kur demokrati garonte përballë Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës. Asokohe, shkolla "Harry Fults" i ishte përgjigjur interesimit të Plarent Ndrecës, i cili mbante postin e përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste. Në përgjigje shkruhej se Belind Këlliçi, në përfundim të klasës së 12-të, në përgjigje të kërkesës së tij për studime të mëtejshme në SHBA, u pajis nga shkolla me disa dokumenta të cilat listohen në përgjigje.

“Kjo praktikë është ndjekur në shkollën tonë nga shumë nxënës të dalluar të periudhës 1997-2005, të cilët pas 12 viteve shkollim në Shqipëri kanë ndjekur studimet e mëtejshme në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën Çeke, për motivin e pajtueshmërisë kurrikulare dhe të krediteve përkatëse,”-sqarohet në përgjigjen e shkollës Harry Fultz. Sipas asaj që thuhej në media, arsyeja e regjistrimit të Këlliçit në Coppin University në vitin 2005, ishte sepse vëllai i tij punonte në zyrën e pranimeve të studentëve. Por në përgjigje të pyetjeve të bëra nga "Faktoje", Universiteti Coppin në Maryland informoi se  ky universitet edhe për rastin e Këlliçit, ka kryer të gjitha procedurat e zakonshme për regjistrimin e studentëve 'të huaj'.

Letra e shkollës Harry Fulltz ka sqaruar se e ka pajisur Belind Këlliçin me raportin shkollor me rezultatet përkatëse për katër vite, skeletin e kurikulës për vitet 2001-2005 dhe programet mësimore të detajuara për çdo lëndë si dhe vërtetimin për zhvillimin e programit mësimor në gjuhën angleze. Po ashtu, nga ana tjetër, edhe Universiteti Coppin zbuloi detaje nga studimet që Këlliçi ka përfunduar në këtë universitet.

“Sipas të dhënave tona, Belind Këlliçi hyri në Universitetin Coppin në semestrin e vjeshtës së vitit 2005 dhe u diplomua në nivelin Bachelor për Shkenca Menaxhimi në dhjetor 2008. Ai u diplomua me vlerësimin më të lartë “Summa Cum Laude”, që merret nga studentët që fitojnë të paktën 48 orë kredite në universitet dhe një mesatare kumulative të notave midis 3.75 dhe 4 në të gjitha lëndët universitare.”

Akuzave iu përgjigj edhe vetë Belind Këlliçi. Në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, ai nxorri diplomat e tij.

"Urdhëro, viti i parë në “Harry Fultz” meqë e kanë merak. Ja edhe viti i dytë, viti i tretë në “Harry Fultz”.Urdhëro dhe të katërt vitet bashkë, sepse është një vërtetim që e kam marrë me vete, ky është një vërtetim që e kam marrë tani për notat, për katër vitet e përfunduara, por kurrikulën, vërtetimin e lëndëve i kam marrë si dosje se i kam marrë me vete në Amerikë. Këtu janë katër vitet, sepse më duheshin 12 vite shkollim parauniversitar për të shkuar në universitet. Këto janë të katër vitet e “Harry Fultz” dhe të bëhet publike. Dhe tani do t’ju nxjerr diçka që, ftoj Erion Veliajn, meqë është i diplomuar njëlloj si unë, të nxjerrë këtë. Kjo është diploma në universitet. Universiteti! Urdhëro, zotëri! Ta nxjerrë me vulë ai po qe se e ka dhe ta tregojë. Edhe me këtë vulën këtu, se këtë vulën nuk e ka ai. I mungon kjo këtu atij. Urdhëro edhe bachelor.Kam shkuar e kam dhënë të gjitha testet, me SAT, me provime pranimi, me intervistë personale. Për shkak të notave të larta, që në prill të 2008-ës, jam anëtar i shoqërisë “Sigma Beta Delta” në biznes, në Amerikë - për shkak të notave të larta në universitet. E meqë jam diplomuar dhe në SHBA, e kisha zakon që duhet t’i mbarojë pak më shpejt gjërat e jam diplomuar për shtatë semestre e jo për tetë dhe kam marrë (jo që s’më thotë njeri gjë), por kam marrë edhe këtë medaljen. Ja çfarë të bën Amerika kur je i zgjuar dhe kur i bën hyzmetin. Dhe kam dhe një gjë që nuk e nxjerr dot Erion Veliaj. Këtë këtu! Është transkripti i notave zyrtare. Të nxjerrë këtë Veliaj për shkollën e tij. Nga klasa e parë. Dhe do të shohësh mesataren time, kam vetëm një B, që e kam në anglisht. Të gjitha të tjerat i ke A. Kur kam ardhur ën Shqipëri, i kam çuar të gjitha këto në Ministri dhe kam marrë njehsimin në Master Shkencor, që ma ka dhënë Minisitria e Arsimit për shkak të kreditove dhe të performancës sime. Sa për ta ditur, në universitetin tim, në broshurën e vitit 2008 të universitetit, ku shfaqeshin të gjitha aktivitetet universitare dhe jouniversitare, Belind Këlliçi ishte reklamë e universitetit. Urdhëro, duke luajtur tenis,"-thoshte demokrati. 

Por tashmë do të vendosë SPAK nëse do të vijojë hetimet, apo do të pushojë kallëzimin e ngritur nga avokati Beqiri./ZËRI

Poll

MOS HUMB