
TIRANË-Sot kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqitet në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë të caktuar nga GJKKO, “detyrim paraqitje”. Kryedemokrati është pritur jashtë ambienteve të SPAK nga mbështetës të tij. Gjithashtu jashtë Prokurorisë së Posaçme ishin edhe Flamur Noka, si edhe Klevis Balliu, që kanë marrë mandatin në zgjedhjet e 11 majit.
Pasi doli nga SPAK, Berisha bëri publik mesazhin që i la Altin Dumanit. Berisha bëri përgjegjës kreun e Prokurorisë, Altin Dumanin, duke theksuar se vonoi 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Troplinit, Elvis Doçit apo Pojave.
Sali Berisha: Kjo zyrë shteti që paguhet, rrogat më të larta në gadishullin e Ballkanit paguhet me 7 mijë euro personin nga prokurorët për meritën e vecantë se komunikojnë dhe bëjnë pazare me kriminelë, do të shpallet seksion i kartelit Troplini. Do të shpallet seksion i kartelit më të fuqishëm të drogës në Evropë karteli i vetëm që administron portin kryesor të vendit, portin e Durrësit. Ndaj edhe në shënimin që i lashë Altin Troplinit, e informova se sot e tutje nga Dumani do ta quajmë Altin Troplini. Kjo për arsye të forta ligjore se ky bashkëpunëtor i kartelit më të fuqishëm të Evropës mbajti në zyrën e tij 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Troplinit, e Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit apo Pojave sepse në fakt quhet ky kartel droge. Jo vetëm e mbajti 22 ditë por e çoi për ekzekutim pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet që kishin zgjedhur dhe të lirë sot duke kontrolluar nga vendndodhjet e tyre çdo metër katror të protit të Durrësit dhe trafikut të kokainës. Ndaj edhe i lashë këtë shënim me mbajtjen për 22 ditë të fletë arrrestit të gjykatës për bosët e kartelit më të madh të drogës, të Troplinit. Altin Dumani do të regjistrohet si bashkëpunëtor kryesor i këtij karteli dhe do të ndryshojë mbiemin e tij nga Dumani në Troplini.

Berisha vijoi me sulmet jo vetëm në drejtim të Altin Dumanit, por edhe gjyqtares së hetimit paraprak të aferës Partizani, Irena Gjoka. Kryedemokrati deklaroi se ka siguruar një kontratë qiraje, që Irena Gjoka ka nënshkruar më datë 13 shkurt 1996. Berisha pretendon se kontrata është e falsifikuar me qëllim që Irena Gjoka të justifikonte paratë e krimit dhe sipas tij është pranuar si dokument zyrtar.
Sali Berisha: Irena me 5 mbiemra, fytyra e vërtetë e sistemit të ri gjyqësor, kryetarja e GJKKO. Tani është kryetare nderi e Gjykatës Speciale. Ajo ka kontratën më të çuditshme në Shqipëri, në rajon dhe në Europë. Kjo kontratë është pranuar si dokument zyrtar, megjithëse nuk ka asnjë noterizim. Kjo kontratë është pranuar si dokument zyrtar nga vetorët e Edi Ramës, për të justifikuar paratë e saj të krimit dhe për ta mbajtur në shërbim. Kontratë qiraje e lidhur në Fier më datë 13 shkurt 1996 me palët kontraktuese shkruajnë në kontratë: Kjo kontratë e 13 shkurt 1996, hartohet në pajtim me nenet 801, 825 të Kodit Civil. Kodi Civil i miratuar në 1994 ka patur gjithsej 280 e ca nene. Kodi Civil i miratuar pak vite më parë është me rreth 1 mijë nenë. Irena me 5 mbiemra, monstra njerëzore, firmos një kontratë, paraqet një kontratë të firmosur në 1996, të lidhur sipas një Kodi Civil të miratuar në 2015.
Ndërkohë, po sot, në GJKKO u hodh shorti për përzgjedhjen e trupës gjykuese që do të shqyrtojë çështjen “Partizani”. Elsa Ulliri është caktuar gjyqtare, ndërsa anëtarë të trupës gjykuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. I pyetur nga gazetarët nëse do ta njohë këtë trupë gjykuese, Berisha tha se kjo është një çështje që është në duart e avokatëve.
Më 19 maj u mor vendimi për kalimin e dosjes në gjykim. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë zyrtarisht të pandehur bashkë me të akuzuarit e tjerë në lidhje me dosjen si: biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë 'Homeplan', Andia Pustina.
Të pandehurit e dosjes “Partizani” dhe akuzat:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
-Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
-Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
-Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në muaj. Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’./ZËRI