Aktualitet

"Skema do rishikohet në shtator"! 2 orë takim me ministrat Salla dhe Malaj, 'përçarje' mes fermerëve! Njoftohet rritje fondesh për blegtorinë

Gjatë diskutimeve u bë e ditur se nafta për fermerët nuk do të jetë pa taksa, por do të ofrohet me një akcizë rreth 20% më të ulët, ndërsa ministri i Financave refuzoi heqjen e plotë të saj.

F.I
"Skema do rishikohet në shtator"! 2 orë takim me ministrat
pamje nga protesta

TIRANË- Një përfaqësi prej 10 fermerësh zhvilloi një takim me ministrat Andis Salla dhe Petrit Malaj, pas protestës kundër skemës së re të bujqësisë. Takimi, i cili zgjati rreth dy orë, përfundoi me dakordësinë që skema të rishikohet në muajin shtator.

Gjatë diskutimeve u bë e ditur se nafta për fermerët nuk do të jetë pa taksa, por do të ofrohet me një akcizë rreth 20% më të ulët, ndërsa ministri i Financave refuzoi heqjen e plotë të saj.

Megjithatë, pas përfundimit të takimit, një pjesë e fermerëve kundërshtuan marrëveshjen e arritur dhe u përfshinë në përplasje verbale jashtë Ministrisë së Bujqësisë. Fermerët që ishin në pritje u shprehën se duan zgjidhje sot dhe jo në shtator.

Pjesë nga diskutimi mes fermerëve:

Fermerja: Unë ty s’të njoh… atëherë çfarë premtimesh u dha?

Fermeri (ishte pjesë e takimit me ministrat): Nafta…

Fermerja: Sa është për krerë?

Fermeri: 120 mijë lekë të vjetra për lopë

Fermerja: Ça është kjo 120 mijë lekë të vjetra për lopë?

Fermeri: Tani çfarë të bëjmë, ne nuk e ndryshojmë dot

Fermerja: Zbrit poshtë të pështyj surratit, thuaji. Zbrit poshtë, ytan.

Fermeri: Çfarë t’ju them unë? Unë jam si ju

Fermerja: Pse pranove?

Fermeri: Ishim 10 veta.

Fermerja: Pse nuk është lufta për rajonin? Nuk dua 120 mijë lekë. Nuk mban më, nuk mban më o vëlla.

Fermeri: Nëse nuk i mbajnë premtimet do vijojmë sërish.

Fermerja: Një lindje lope do 5000 lekë veterineri, një sëmundje 100 mijë lekë, këta na japin 120 mijë lekë. Me kë tallen?

Fermeri: Të lutem…

Gjatë takimit u shqyrtuan çështjet që lidhen me subvencionimin, funksionimin e tregut, konkurrencën dhe standardet e produkteve. Në vijim, Ministria e Bujqësisë bëri me dije se, përmes Skemës Kombëtare të këtij viti, fermerët do të përfitojnë mbështetje të shtuar:

-Pagesa direkte për lopët nga 10,000 në 12,000 lekë

-Pagesa për të imtat nga 1,200 në 1,500 lekë

-Pagesa për koshere bletësh nga 1,000 në 2,000 lekë

-Mbështetje e re për derrin dhe reduktim i pragjeve minimale të përfitimit

Ministri Salla ka deklaruar se vlera totale e pagesave direkte për blegtorinë parashikohet të rritet nga 2.5 miliardë lekë në vitin 2025 në rreth 4 miliardë lekë për vitin 2026. Për herë të parë, fermerët prodhues të qumështit do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të shitjes, një mbështetje shtesë jashtë Skemës Kombëtare për të nxitur formalizimin dhe prodhimin vendas.

Po ashtu, do të intensifikohen kontrollet mbi produktet e importit në pikat kufitare dhe do të nisë mbështetja për forcimin e kapaciteteve laboratorike, për të rritur standardet e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit. 

Ashtu si ishte njoftuar Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” u mbledh këtë të martë përpara ministrisë së Bujqësisë, ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë për të protestuar për skemën kombëtare 2026. Blegtorët bëjnë thirrje për politika më të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë.

“Bojkotoni ushqimin serb”, “Kontribuo të ushqehemi shëndetshëm”, “Naftë pa taksa”, “Bojkotoni fermat serbe”, “Duam ministri bujqësie jo propagandë”, “Naftë pa taksa”,-janë disa nga pankartat që blegtorët mbajnë në duar ndërsa protestojnë përpara institucioneve.

Blegtorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të garantuar mbështetje konkrete për prodhimin vendas.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa fermerët paralajmërojnë se do të vazhdojnë me kundërshtimet e tyre deri sa kërkesat të adresohen./ZËRI

Poll

MOS HUMB