PËRMET- Banorë, vizitorë dhe turistë kanë shprehur shqetësime për ndryshime të dukshme në zonën e Banjave të Bënjës në Përmet, një nga atraksionet më të njohura turistike Shqipërisë. Më problematike paraqitet gjendja te “Vaska e Lëkurës”, e cila aktualisht rezulton e boshatisur.
Shqetësimet janë ngritur si nga banorët vendas, ashtu edhe nga turistë të huaj që frekuentojnë zonën për vlerat e saj natyrore dhe kurative.
Sipas raportimeve, pas ndërhyrjeve të realizuara në kuadër të një projekti zhvillimi në zonë, disa prej vaskave termale kanë shfaqur prurje më të ulëta uji, ndërsa në disa pjesë janë vërejtur ndryshime në pastërti dhe prani algash.
Vetëm pak muaj pas përfundimit të punimeve, raportohet se cilësia e ujit në disa vaska është përkeqësuar dhe sipërfaqet shkëmbore janë mbuluar nga algat, duke ngritur diskutime mbi ndikimin e ndërhyrjeve në ekuilibrin natyror të zonës.
Lidhur me situatën, janë ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve të realizuara nga kompania “Ergi” SHPK, e cila ka zbatuar projektin në këtë zonë.
Punimet janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e aksesit për vizitorët. Projekti me vlerën limit rreth 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata është fituar për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH, pikërisht nga kompania "Ergi" në pronësi të Nuri Ballës. Pronari i kompanisë së ndërtimit Ergi shpk është Nuri Balla, ndërsa administratorë janë Erjona Bajraktori dhe Ergi Balla.
Megjithatë, nga verifikimet rezulton se kompania “Ergi” SHPK nuk është hera e parë që fiton tenderë publikë. Në vitin 2025, ajo ka fituar një kontratë me fond limit rreth 1.4 milionë euro për rikonstruksionin e rrjetit elektrik në periferi të Elbasanit. Nga raportimet, “Ergi” SHPK kishte ofertën e tretë më të lartë mes katër operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. Megjithatë, kompania u shpall fituese pasi dy operatorë të tjerë u skualifikuan gjatë fazës së vlerësimit.
Banjat e Bënjës, të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, janë një nga destinacionet më të njohura natyrore në Shqipëri. Megjithatë, pas ndërhyrjeve të fundit, lind natyrshëm pyetja nëse kjo zonë po humbet gradualisht disa nga vlerat dhe bukuria e saj./ZËRI