
LEZHË- Pas një vendimi nga Gjykata e Romës, 12 emigrantë janë larguar nga kampi i Gjadrit dhe janë nisur drejt Italisë.
Mëngjesin e datës 19 tetor, rreth orës 07:30, një anije e rojës bregdetare italiane u ankorua në Portin e Shëngjinit për të kryer transportin e emigrantëve. Emigrantët u shoqëruan nga autoritetet shqiptare dhe italiane nga Gjadri në Shëngjin, ku procesi i imbarkimit në anije u realizua shpejt.
Rreth orës 9:00, anija u nis drejt Portit të Barit.
Ndërkohë, sipas medias italiane "La Repubblica", pritet që një tjetër grup emigrantësh të mbërrijë në Gjadër brenda javës së ardhshme, në varësi të kushteve atmosferike. Anija e radhës pritet të mbërrijë në Portin e Shëngjinit të mërkurën ose të enjten.
Ky transferim vjen pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Romës, e cila ka urdhëruar që këta emigrantë, të cilët vijnë nga Egjipti dhe Bangladeshi, të transferohen në Itali për të pritur më tej procedurat e azilit. Ky vendim bazohet në një rregullore të përditësuar të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila, në një vendim të dhënë më 4 tetor, ka përcaktuar kufizime të rrepta për riatdhesimin e emigrantëve në vendet e tyre të origjinës, sidomos kur ato vende konsiderohen të pasigurta.
Sipas vendimit të ri, Egjipti dhe Bangladeshi janë klasifikuar si vende të pasigurta, dhe për rrjedhojë, 12 emigrantët nuk mund të deportohen atje, por do të qëndrojnë në Itali. Ky grup është pjesë e një grupi më të madh prej 16 emigrantësh që mbërritën në Shqipëri nga anija "Libra" e marinës italiane. Katër të tjerë tashmë janë kthyer në Itali, dy prej tyre për shkak se ishin të mitur dhe dy të tjerë për arsye shëndetësore./ ZËRI