Aktualitet

Damian Gjiknuri në hetim? Dokumenti 79 faqe që vodhi Agim Ismaili

Ismaili ka zbuluar se dosjet me materiale hetimore janë siguruar nga Rrokaj dhe Gjoni, me të cilët ka komunikuar dhe lajme të ndryshme.

zh.ll
Damian Gjiknuri në hetim? Dokumenti 79 faqe që vodhi Agim Ismaili
gjiknuri-agimi

TIRANË- Agim Ismaili, ish-kreu i Burgjeve, është një nga tre të akuzuarit e SPAK për hakerimin e kompjuterëve të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Në hetimet e SPAK, u zbulua roli i ish-kreut të burgjeve dhe skema se si kishin përfunduar në dorë të Ismailit materiale hetimore të SPAK. Ndërsa, në dosjen e siguruar nga Top Channel, ish-kreu i Burgjeve ka rrëfyer përpara hetuesve se në këtë skemë kanë pasur gisht Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni.

Ismaili ka zbuluar se dosjet me materiale hetimore janë siguruar nga Rrokaj dhe Gjoni, me të cilët ka komunikuar dhe lajme të ndryshme. Ai rrëfen se para disa kohësh, nga këta shtetas i kishte mbërritur një material që kishte të bënte me disa hetime ndaj Damian Gjiknurit. 

"Materiali kishte të bënte me disa hetime të zhvilluara ndaj shtetasit Damian Gjiknuri dhe nuk e kam diskutuar më me njerëz të tjerë", citohet në dëshminë e Agimit.

“Një ndër format e komunikimit është dhe komunikimi nëpërmjet aplikacionit ëhatsapp, ku kemi shkëmbyer lajme të ndryshme, konsideratat tona për çështje të caktuara, humor etj. Një natë, përpara disa kohësh, më solli një material si komunikonim vazhdimisht dhe e pashë, ndërkohë që isha duke punuar. Këtë material e shpërndava pasi e mendova se ishte një lajm që kishte dalë nga mediat dhe nuk e mendova gjatë. Më pas e kam lexuar këtë material dhe i hodha një sy. Materiali kishte të bënte me disa hetime të zhvilluara ndaj shtetasit Damian Gjiknuri dhe nuk e kam diskutuar më me njerëz të tjerë. Kam patur komunikime me Zambakun me këtë rast dhe e kam marrë me humor kur më ka thënë që kam patur burime në SPAK. Sidomos këto kohë, kam njohje goxha të thellë me Zambakun dhe e njoh për shkak të kapaciteteve që ka. As më ka shkuar ndërmend” dhe as e kam besuar që ai mund të kishte aksesuar apo korruptuar njerëz në SPAK për të marrë informacion. Gjithnjë kam menduar që ai ka marrë materiale që kishin qarkulluar ndërmjet gazetarësh dhe mi kishte ridërguar mua”, ka deklaruara ai.

Ndërkohë, në dosje ëshë zbuluar edhe dëshmia e ish-drejtori i burgut të Vlorës, Zambak Gjoni. Ky i fundit është i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike". Nga hetimet e SPAK, rezulton se Gjoni i mori materialet hetimore nga Arnold Rrokaj, ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Mjedisit. Këto informacione, Gjoni i shpërndau te njerëz të tjerë. 

Para hetuesve, Gjoni thotë se me Rrokaj është njohur që prej vitit 2019 përmes miqësive të përbashkëta, duke theksuar se ky fundit ka qenë gjithmonë i dhënë pas teknologjisë.

"Aktualisht jam i papunë. Më herët kam punuar si jurist në sistemin e burgjeve, dhe konkretisht pozicionin e fundit e kam patur pranë IKMT, si drejtor juridik, gjatë vitit 2023. Lidhur me shoqërimin tim në polici ditën e sotme, me qëllim pyetjen time, kam për të thënë se përpara disa vitesh, rreth vitit 2019, jam njohur me shtetasin Arnold Rrokaj, i cili punonte pranë IMT-së së Bashkisë Vlorë, si specialist ose inspektor. Në atë periudhë kam qenë dhe unë i punësuar pranë Burgut të Vlorës, si drejtor i komanduar dhe në këto rrethana, nëpërmjet rrethit shoqëror dhe miqësive të përbashkëta, kam krijuar njohje dhe marrëdhënie shoqërore me këtë shtetas. Me këtë shtetas, kam komunikuar në mënyrë të vazhdueshme, pasi i kisha ruajtur raportet shoqërore me të. Më duhet gjithashtu të sqaroj faktin se ky shtetas ka qenë gjithmonë i dhënë pas teknologjisë dhe mesa kisha kuptuar, i vinte ndorësh të merrej me aplikacione të ndryshme si dhe me teknologjinë në përgjithësi”, thotë Gjoni.

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”./ZËRI

Poll

MOS HUMB