TIRANË- Ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është arrestuar mesditën e sotme. Paraprakisht, raportohet se ai është vënë në pranga për “shpërdorim detyre”. Arrestimi i tij vjen vetëm një ditë pas shkarkimit nga detyra si drejtor i Burgut të Durrësit, pasi akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e arratisjes së Altin Ndocit.
Sipas njoftimit të bluve, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrestit në shtëpi” për mjeken e spitalit të Durrësit.
Njoftimi i policisë:
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga ish-drejtori i IEVP Durrës.
Ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjthshme të Burgjeve theksohet se verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore.
Më 14 janar, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari firmosi shkarkimin e Cërlojt dhe ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë. Pas shkarkimit të tij, Edmond Llabani u emëruar drejtori i ri i Burgut të Durrësit.
Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit, ministria e Drejtësisë shkarkoi drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më herët njoftoi se ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të burgut, ndërsa 8 persona u vunë në pranga. Në mesin e personave të arrestuar është shefi i komanduar i policisë së burgjeve, si dhe kryeinfermieri i i burgut, i cili ka firmosur raportin se i burgosuri kishte nevojë për vizitë spitalore.
Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI


