TIRANË- Shqipëria renditet ndër vendet më pro-evropiane në rajon, sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Komisioni Evropian. Sondazhi i publikuar nga Eurobarometri tregon se 91% e qytetarëve në Shqipëri mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo është një nga shifrat më të larta jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë vendet kandidate.
Pas Shqipërisë renditet Maqedoni e Veriut me 69%. Më tej renditet edhe Kosova me 82 %, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut 67 % dhe Bosnje Hercegovina 56%. Ndërsa në Serbi mbështetja për anëtarësimin në BE është më e ulëta në rajon, me vetëm 33%, duke reflektuar shqetësime politike dhe mungesë besimi ndaj BE-së.
Sondazhi u zhvillua mes shkurtit dhe marsit 2025, duke mbledhur mendimet e mbi 26 mijë e 300 qytetarëve në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së. Sondazhe të ngjashme perceptimi u zhvilluan edhe në vendet si Shqipëria, që aspirojnë të anëtarësohen: Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Ukrainë. U përzgjodh një mostër prej 1 mijë individësh për secilin vend, me intervista të zhvilluara ballë për ballë.
Në të njëjtën kohë, të anketuarit shprehin shqetësime në lidhje me migracionin, korrupsionin dhe krimin, si dhe koston financiare të zgjerimit. Ata nënvizojnë rëndësinë e sigurimit që vendet kandidate të mbështesin sundimin e ligjit, të luftojnë korrupsionin dhe të mbrojnë të drejtat themelore, të gjitha elementë thelbësorë të një procesi pranimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë.
Nivelet e ulëta të ndërgjegjësimit rreth Bashkimit Evropian dhe politikës së zgjerimit janë një sfidë e zakonshme në të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë, me një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që ndihen të informuar dobët. Vetëm 48% në Moldavi dhe 39% në Mal të Zi ndihen të informuar mirë ose shumë mirë, ndërsa shifrat bien në 23% në Ukrainë dhe 20% në Serbi. Kjo tregon nevojën për përpjekje më të forta komunikimi të BE-së, më të përshtatura në nivel lokal.
Në Turqi, 50.7% e qytetarëve raportojnë se kanë një pikëpamje pozitive për BE-në, megjithatë vetëm 40.6% ndihen të informuar mirë rreth BE-së dhe politikave të saj. Mbështetja për anëtarësimin në BE është 49.9%. Sipas të anketuarve, pengesat kryesore për anëtarësimin e Turqisë mbeten mungesa e vullnetit politik, mangësitë në sundimin e ligjit dhe korrupsioni i përhapur./ZËRI