Aktualitet

Debate në gjykatë për dosjen "Partizani", Malltezi 'sulmon' prokurorët: Ngritën akuzë politike! Ç'ndodhi në seancë

Pas përfundimit të seancës, në një prononcim për gazetarët, Malltezi e cilësoi procesin si një “përndjekje politike” dhe jo si ndjekje penale.

zh.ll
Debate në gjykatë për dosjen "Partizani", Malltezi
Jamarbër Malltezi

TIRANË- Seanca e sotme gjyqësore për dosjen "Partizani" është shoqëruar me debate, teksa Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha, ka zbuluar detajet për mediat. Pas përfundimit të seancës, në një prononcim për gazetarët, Malltezi e cilësoi procesin si një “përndjekje politike” dhe jo si ndjekje penale. Sipas Malltezit, në seancën e sotme, u paraqitën elementë që kishin të bënin me gënjeshtra.

Malltezi ka debatuar gjithashtu për për terminologjinë e përdorur ndaj prokurorëve. Gjykata ndërhyri për termin e përdorur nga Malltezi, duke kërkuar që ai t’u drejtohej atyre vetëm me "prokuror". 

"Po si t’ua them prokuror, ata janë prokurorë politikë që ngritën një akuzë politike", është shprehur Malltezi, teksa ka shtuar se 'prokurorët politikë' e ka artikuluar edhe më parë. 

Ai ngriti akuza ndaj prokurores Enkeleda Millonai, duke theksuar se ajo është emëruar nga Taulant Balla. Ky i fundit sipas Malltezit, ka kallëzuar çështjen në emër të Partisë Socialiste. Ai përmendi është prokurorin Arben Kraja, duke hedhur edhe pretendime për të shkuarën e tij, i cili sipas Malltezit, ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit. 

Më 16 janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit, i cili është marrë i pandehur për dosjen Partizani. Në muajin mars të vitit të kaluar ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.

Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan. Më herët kishte qenë Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO që kishin lënë të pandryshuar vendimin.

Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me kërkesë të SPAK, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.

Përveç apartamenteve dhe një vile, janë sekuestruar ndër të tjera dhe tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve./ZËRI 

Poll

MOS HUMB