TIRANË- Reshje të shumta dëbore kanë mbuluar pjesën më të madhe të veriut të vendit dhe juglindjen.
Visualizza questo post su Instagram
Reshje bore me intensitet të lartë ka pasur në gjithë teritorin e Bashkive Dibër dhe Bulqizë. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike. Trashësia e borës në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar mbi 40 centimetra. Ndërkohë, disa akse janë të bllokuara për shkak të reshjeve të dëborës. Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet kujdes nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.
Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra. Rruga Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha. Ndërsa segmenti te Ura e Çerenecit – Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.
Rruga e Kombit është përfshirë gjithashtu nga moti i keq, teksa është mbuluar nga dëbora. Raportohet për reshje dëbore mbi 300 metër, megjithatë situata mbetet nën kontroll. Borëpastrueset ndodhen në terren, ndërsa autoritetet rekomandojnë shoferët, që të përdorin goma dimërore ose zinxhirë.
Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar zonat e Pukës dhe Fushë Arrëzit, duke arritur trashësi deri në 25 centimetra. Bashkia e Pukës dhe Shërbimi i Emergjencave Civile po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura dhe për të kriposur akset kryesore.
Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë gjatë natës në Malësinë e Krujës kanë bërë që shtresa e dëborës të arrijë mbi 25 centimetra, duke shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Krujë–Qafë Shtamë.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë mëngjesit të gjithë juglindjen e vendi, megjithatë autoritetet konfirmojnë se të gjitha akset rrugore nacionale që çojnë drejt qytetit të Korçës dhe drejt pikave kufitare janë të kalueshme.
Janë të hapura dhe të kalueshme rrugët që lidhin fshatrat turistikë Dardhë dhe Voskopojë, megjithatë qarkullimi kryhet me kujdes të shtuar për shkak të pranisë së dëborës. Përjashtim bën vetëm aksi Qukës–Qafë Plloçë, i cili vijon të mbetet i bllokuar për shkak të shkarjeve masive të shkëmbinjve.
Në Korçë, moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qarkut. Situata paraqitet problematike në zona të Korçës, Maliqit, Pogradecit dhe Ersekës, ndërsa Bilishti nuk raporton ndërprerje. Defektet janë shfaqur në rrjetin shpërndarës dhe kanë prekur kryesisht abonentë ruralë.
Reshje dëbore janë regjistruar në Llogara. Reshjet kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm, ndërsa raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin. Aksi rrugor është i pastruar dhe është hedhur kripë. Ndërkohë në aksin rrugor të Qafës së Vishës janë vendosur sinjalistikat për shkak të rrëshqitjes së dherave gjatë ditës së djeshme, por edhe sot./ZËRI