MALLAKASTËR- Zjarri në zonën e Mallakastrës ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi drejt fshatit Drenije, në bashkinë Patos. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me pisha dhe po favorizohet nga era e fortë që fryn në grykat e kodrave të zonës, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Lidhur me situatën kryetari i bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj në një deklaratë për mediat ka raportuar se situata vijon të jetë e rëndë dhe përhapja e zjarrit është favorizuar nga kushtet e vështira atmosferike dhe terreni kodrinor. Ismailaj deklaron se do të vijojë monitorimi i situatës nga zjarrëfikësit, ndërsa ndërhyrja nga ajri do të rinisë nesër herët në mëngjes.
Kryebashkiaku shprehet se banorët e zonave të prekura janë mbajtur në kontakt të vazhdueshëm me strukturat vendore, ndërsa janë përgatitur edhe mundësi sistemimi në rast se situata do të përkeqësohet.
View this post on Instagram
"Situata vazhdon të jetë e rëndë. Ka qenë një ditë e gjatë nga të gjitha forcat, jo vetëm ato të bashkisë Mallakastër, por edhe forcat e ushtrisë, zjarrfikësit nga disa bashki dhe mbështetja nga ajri me avion. Është punuar gjatë gjithë ditës në terren, por kemi ende vatra të reja që përhapen. Ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë kodrinor që është i vështirë për të ndërhyrë me mjete tokësore, era e fortë, temperaturat e larta dhe bimësia që favorizon përhapjen e flakëve, janë pisha. Sot kanë operuar rreth 110 forca në terren, por pavarësisht kësaj kemi përhapje në Ngraçan. Forcat në terren do të kalojnë në monitorim për momentin nëse ka problematika të theksuara dhe nesër në 05:30 do të fillojmë ndërhyrjen nga ajri,'-u shpreh kryetari i bashkisë Mallakastër.