Aktualitet

Situata me zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 14 vatra në 10 orë, 7 vijojnë të jenë aktive

Për përballimin e situatës janë angazhuar dhjetëra forca në terren, përfshirë 246 efektivë operacionalë, 90 ushtarë të Forcave të Armatosura, 29 mjete zjarrfikëse, si dhe një helikopter dhe një avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore, të cilët po mbështesin operacionet nga ajri.

M.K.
Situata me zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 14 vatra në 10
pamje

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin më të fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 10 orëve të fundit janë evidentuar 14 vatra zjarri, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të mbeten aktive.

Për përballimin e situatës janë angazhuar dhjetëra forca në terren, përfshirë 246 efektivë operacionalë, 90 ushtarë të Forcave të Armatosura, 29 mjete zjarrfikëse, si dhe një helikopter dhe një avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore, të cilët po mbështesin operacionet nga ajri.

Sipas të dhënave zyrtare, një nga zonat më problematike mbetet bashkia Mallakastër, ku flakët vijojnë të jenë aktive në fshatrat Riban dhe Ngraçan. Ekipet e emergjencës po punojnë për izolimin e vatrave, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave dhe sipërfaqeve të tjera.

Ndërkohë, situata në fshatin Penkovë të bashkisë Selenicë është vënë nën kontroll. Zjarri është shuar plotësisht, pasi përfshiu rreth dy hektarë pyll me pisha dhe dogji rreth 40 automjete të braktisura.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse në rast të konstatimit të vatrave të reja të zjarrit.

NJOFTIMI:

Gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive.

Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së, ADZM-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 1 helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe vijon puna për të penguar përhapjen drejt zonave të banuara. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të FA-së dhe avioni “Air Tractor”.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka kaluar në majën e malit dhe ka rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Penkovë, bashkia Selenicë, zjarri është shuar plotësisht, pasi preku rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë, bashkia Skrapar, situata është vendosur nën kontroll.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin./ZËRI

Poll

MOS HUMB