FRANCË-Ish-futbollisti i njohur shqiptar dhe ish-lojtari i Kombëtares, Ogert Muka, është arrestuar në Francë nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Mediat e huaja raportojnë se arrestimi është kryer më 28 korrik në Dijon pas më shumë se dhjetë ditësh vëzhgimi. Sipas hetimeve, Muka dhe një tjetër shtetas shqiptar dyshohet se shpërndanin kokainë në parkun Jardin de l’Arquebuse.
Ish-futbollisti shqiptar ka dalë para gjykatës, ku ka dhënë versionin e tij për rrethanat që e çuan drejt këtij aktiviteti të paligjshëm. Ai ka treguar se prej rreth 18 muajsh ishte pa punë, pasi kishte humbur vendin e punës si trajner për shkak të problemeve shëndetësore.
Muka ka përmendur vështirësitë ekonomike dhe presionin për të mbajtur familjen, duke e përshkruar përfshirjen në këtë aktivitet si një zgjedhje të përkohshme të ardhur nga gjendja e vështirë financiare.
Ai ka luajtur me skuadra si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa, ndërsa ka përfaqësuar edhe Kombëtaren shqiptare në dy ndeshje miqësore në vitin 2002./ZËRI