TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga pengmarrja e ndodhur në Tiranë ku 32-vjeçari F. Sula është marrë me forcë nga dy vëllezërit Jurgen e Kevin Neza dhe kushëriri i tyre Hysen Neza. Këta të fundit kanë organizuar rrëmbimin pasi kishin kohë që monitoronin lëvizjet e 32-vjeçarit.
32-vjeçari me mbiemrin Sula, biznesmen nga Divjaka, kishte vetëm rreth dy muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi ndodhej jashtë vendit. Ditën e ngjarjes, ai ndodhej duke pirë kafe pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, kur tre autorët i janë afruar sapo është larguar nga lokali.
Pengmarrësit i janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe e kanë detyruar të hipte në automjet. Njëri prej tyre mbante kapele dhe syze, ndërsa dy të tjerët ishin të maskuar me maska farmacie për të fshehur identitetin. Pas rrëmbimit, 32-vjeçari është dërguar në një ambient në zonën e Xhafzotajt, ku është mbajtur për disa orë.
Fillimisht i kanë kërkuar 2 milionë euro, por pasi biznesmeni ka kundërshtuar duke deklaruar se nuk dispononte një shumë të tillë, ata e kanë ulur kërkesën në 1 milion euro, e më pas në 500 mijë euro. Në fund, e kanë liruar në orët e mëngjesit me qëllim që të siguronte shumën e kërkuar.
Lidhur me rastin Policia ka arrestuar Hysen dhe Kevin Nezën, ndërsa vëllai i këtij të fundit Jurgen Neza është shpallur në kërkim. Ata njihen si persona me precedent penal për vjedhje dhe konflikte të ndryshme, dhe gjithashtu dyshohet se janë përdorues të lëndëve narkotike./ZËRI
