
TIRANË-Kompleksi “Kika 2” në Tiranë u përfshi nga flakët një ditë më parë (20 janar). Ngjarja ndodhi rreth orës 11:05, në rrugën ‘Tish Daija, ku katet e një ndërtese u përfshinë nga zjarri. Në lidhje me ngjarjen ajo që u raportua ishte thjesht se zjarri ra në katin e katërt. Asnjë informacion rreth zyrave, dëmit të shkaktuar, ose të apartamenteve të prekura.
“Më datë 20.01.2025, rreth orës 11:05, në rrugën ‘Tish Daija, ka rënë zjarr në katin e katërt të një ndërtese. Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit. Shërbimet e Policisë po bëjnë të mundur evakuimin e banorëve,"-njoftoi policia.
Zyrat e prekura në katin e pestë, të cilat i përkasin 'Raiffaisen Bank', nuk u përmendën. Vetëm sot, një ditë më pas në një njoftim zyrtar, Policia raportoi se nga zjarri u prekën zyrtat në katin e katërt, zyrat në katin e pestë dhe një restorant në katin e 6-të. Policia njofton se u dogjën zyrat e një subjekti privat në katin e 4-t dhe zyrat e një banke të nivelit të dytë në katin e 5-të. Në njoftim thuhet se zjarri ka rënë aksidentalisht.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për rënien e zjarrit në katin e 4-t të një ndërtese, në rrugën “Tish Daija”, bëjmë me dije se paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht. Nga përhapja e flakëve u dogjën zyrat e një subjekti privat në katin e 4-t, zyrat e një banke të nivelit të dytë në katin e 5-të, dhe një restorant në katin e 6-të. Vijojnë hetimet për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit./ZËRI