Aktualitet

Dhuna ndaj Eduard Kuçit, Gjykata lë në "arrest shtëpie" Jozefin Markun

Vendimi është marrë pas zhvillimit të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar “arrest në burg” për të dy personat.

zh.ll
Dhuna ndaj Eduard Kuçit, Gjykata lë në "arrest
joz marku-pamje nga sherri me eduard kucin

TIRANË- Gjykata ka liruar nga qelia dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku, i arretuar në lidhje me sulmin ndaj Eduard Kuçit. Të njëjtën masë sigurie gjykata ka vendosur edhe për shokun e tij, Kristjan Nikollin, në banesën e të cilit u arrestua nga Policia këngëtari.

Vendimi është marrë pas zhvillimit të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar “arrest në burg” për të dy personat. Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë.

Nga ana tjetër, ish-banori i Big Brother Vip Kosova, Eduard Kuçi raportohet se është shpallur në kërkim nga Policia për moskallëzim krimi. 26-vjeçari ka deklaruar në Polici se sherri mes tyre kishte qenë një konflikt i thjeshtë për shkak të bllokimit të rrugës me makinë. Deri më tani raportohet se Kuçi nuk ka bërë denoncim ndaj këngëtarit dhe se hetimi është i nisur nga ana e policisë pas videos së bërë virale. 

Jozefin Marku u arrestua për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”. Ndërkohë ndaj Kristjan Nikollit, përveç veprave penale që lidhen me dhunimin e Kuçit, është ngritur edhe akuza për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.

Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia gjeti municione, ndërsa është sekuestruar edhe një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB