
KUKËS- Një polic i qarkullimit rrugor është dhunuar nga disa persona në Kukës. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës, sepse efektivi i Policisë i ka ndaluar ata një ditë më parë. Por, disa persona kanë shkuar sot pranë banesës së tij dhe e kanë dhunuar. Efektivi i Policisë është transportuar në spital për trajtim mjekësor për shkak të plagëve të shumta.
"Rreth orës 17:00, Inspektor Q.D, punonjësi i Policisë Rrugore në DVP Kukës, ka njoftuar se në rrugën për në fshatin Pobreg, është konfliktuar fizikisht me disa persona për shkak të detyrës. Punonjësi i Policisë aktualisht është duke dhënë kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.
Nga veprimet e para është identifikuar njëri prej personave që punonjësi i Policisë ka debatuar për shkak të detyrës ditë më parë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, së bashku me grupin hetimor po punojnë për identifikimin dhe të personave të tjerë, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Ndërkohë shërbimet e Policisë po kryejnë kontrolle për kapjen e personit të identifikuar nga ana e Policisë", njofton Policia./ZËRI