Aktualitet

"Dhuratë e çmuar për ne"! Kryepeshkopi Joan kujton Janullatosin: Ngriti kishën shqiptare nga rrënojat

Ai tha se trashëgimia e shquar e kryepeshkopit të ndjerë Anastas është një bekim dhe përgjegjësi e madhe për të.

F.I
"Dhuratë e çmuar për ne"! Kryepeshkopi Joan kujton
Kryepeshkopi Joan Pelushi

GREQI-Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi ka dhënë një intervistë për gazetën greke “Apogjevmatini”, ku ka thënë se trashëgimia e shquar e kryepeshkopit të ndjerë Anastas është një bekim dhe përgjegjësi e madhe për të.

“Personaliteti i tij i shquar, me zërin dhe praninë e tij të fuqishme në kishën ortodokse dhe më gjerë, la gjurmë të pashlyeshme. Është një ngarkesë e rëndë, përtej forcës së shpatullave të mia të dobëta, por ajo që më jep kurajë është siguria se Zoti është ai që i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të dobëtit. Falënderoj Zotin që dërgoi në vendin tonë një njeri të ndritur dhe të përkushtuar, Kryepeshkopin Anastas, i cili ka qenë një dhuratë e çmuar për ne dhe për Kishën tonë”, deklaron imzot Joani duke shtuar se ai e ringriti Kishën shqiptare nga rrënojat dhe se ndihet i privilegjuar që e njohu dhe punoi me të për 33 vjet.

I pyetur për largimin e tij nga Mitropolia e Korçës Hirësia e tij Joani thotë: Si çdo ndarje, edhe largimi pas 27 vitesh të bekuara është i dhimbshëm për shkak të kujtimeve  të çmuara në këtë qytet të veçantë me besimtarët e tij të devotshëm dhe Korça do të mbetet gjithmonë në zemrën dhe lutjet e mia.

Në fund të intervistës Fortlumturia e Tij Joani dha mesazhin për ditët në vijim duke theksuar se do të përpiqet  me të gjitha forcat t’i shërbejë grigjës që Perëndia i ka besuar, duke mbajtur gjithmonë parasysh fjalët e Zotit se “Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer” dhe do të përpiqet të vazhdojë, veprën e shkëlqyer të kryepeshkopit të bekuar Anastas.

Joan Pelushi u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas. Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. Hirësia e tij, Joani u zgjodh nga vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos që ta pasonte pas vdekjes së tij. Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si "alter egoja" e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB