Aktualitet

100 qytetarë helmohen në Dibër/ Shtrohen me urgjencë në spital, mes tyre dhe të mitur, s'dihet shkaku

Banorët e 3 fshatrave Kastriot, Vakuf, Fushë Alie kanë shkuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore.

k.m.
100 qytetarë helmohen në Dibër/ Shtrohen me urgjencë në
Foto ilustruese

DIBËR- Rreth 100 persona, mes tyre dhe të mitur, janë paraqitur në spitalin e Peshkopisë për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi.

Banorët e 3 fshatrave Kastriot, Vakuf, Fushë Alie kanë shkuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore. Paraprakisht dyshohet se janë helmuar nga sasia e lartë e klorit në ujin që vjen nga rrjeti. Por shkaku i vërtetë i helmimit të tyre do të zbulohet nga hetimet e Prokurorisë. Për rastin është ngritur një grup hetimor. Nga informacionet e marra nga Drejtoria Rajonale Spitalore Dibër dhe nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Dibër, qytetarët janë shtruar që ditën e djeshme.

"Në urgjencën e spitalit janë paraqitur raste të shtuara me simptoma gastro-enterite, ku pacientët kanë marre shërbimin spitalor dhe janë kthyer në banesa. 6 persona (5 fëmije dhe 1 i rritur) janë shtruar në spital. NJVKSH gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme ka marrë analizat fiziko-kimike në të gjithë depot e fshatrave dhe parametrat kanë dalë në normalitet. Analizat bakteriologjike janë dërguar në ISHP dhe pritet që brenda 24 orësh të kemi përgjigjet,"-shkruhet në njoftim.

Ndërkohë mjekët e familjes dhe strukturat e Bashkisë kanë informuar qytetarët për përdorimin e ujit me kujdes deri në raportin përfundimtar nga strukturat përkatëse. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Dibër/informacion paraprak

Komisariati i Policisë Dibër, ka marrë njoftim se disa shtetas (mes tyre dhe disa të mitur), banorë të bashkisë Dibër, ishin paraqitur në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë, për ndihmë mjekësore me simptoma si ata të helmimit. Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.Në përfundim të hetimeve, do të ketë informacion më të detajuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB