Aktualitet

Dita 16-të e protestës! Banorët e Rrjollit paralajmërojnë grevë urie, shoqërime në Polici: Largohuni se do bëhet kërdia

Në rast se Apeli Administrativ nuk jep vendim për ndalimin e punimeve nga firma e ndërtimit, banorët paralajmëruan se do të futen në grevë urie përpara SPAK-ut.

F.I
Dita 16-të e protestës! Banorët e Rrjollit
banorët e shoqëruar në Polici

SHKODËR-Kjo është dita e 16-të që banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë protestojnë kundër zaptimit të pronave të tyre, ku do të ndërtohet një resort nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Policia e Shkodrës ka shoqëruar 6 banorë të Baks-Rrjollit mëngjesin e kësaj të mërkure, mes tyre edhe një grua, të cilët i kanë zënë rrugën punonjësve të firmës që po ndërton resortin në pronat e tyre.

Në rast se Apeli Administrativ nuk jep vendim për ndalimin e punimeve nga firma e ndërtimit, banorët paralajmëruan se do të futen në grevë urie përpara SPAK-ut.

Rreth 60 familje kërkojnë ndalimin e punimeve. Protestat janë shoqëruar me përplasje me Policinë, ku nuk kanë munguar dhe incidentet dhe shoqërimet e banorëve në Komisariat. Banorët denoncojnë se resorti po ndërtohet ne tokat e tyre që i kanë trashëguar breza pas brezi.

Kjo është hera e dytë që këta banorë paraqiten në SPAK. Kujtojmë se, më 25 mars të vitit të shkuar, ata depozituan edhe kallzim penal për firmën ndërtuese, si dhe për ato persona që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentat e pronave në Baks-Rrjoll.

Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI

Poll

MOS HUMB