TIRANË-Dita e katërt e protestës së studentëve u mbyll me 'paqe', ku të rinjtë u dhanë ujë efektivëve dhe u shkëmbyen përqafime mes palëve. Prej 13 tetorit panaroma e kryeqytetit, i ngjan një 'fronti lufte', me studentë të revoltuar, brohorima, tym, gaz lotsjellës, përplasje të dhunshme me Policinë, zjarre në çdo cep të Tiranës, trotuare pa pllaka, kangjëlla në rrugë e biznese me qepena ulur, disa të shkatërruara.
Pakënaqësitë e studentëve lidhen me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit. Ndërkohë të rinjtë kanë edhe një kërkesë politike: Dorëheqejen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka refuzuar deri tani thirrjet për dorëheqje, ndërsa ka deklaruar se aktet e dhunës nuk vijnë nga studentët, por nga të huaj dhe opozitarë. Rama i ka ftuar në dialog studentët, por edhe nga të rinjtë nuk ka patur një pranim ftese.
Mes trazirave të Tiranës, studentë e gjimnazistë të qyteteve të tjera u solidarizuan me të rinjtë e kryeqytetit duke bojkotuar mësimin dhe marshuan nëpër rrugë. Incidentet thyerjet e xhamave të institucioneve dhe përplasjet me efektivët nuk munguan as në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Burrel e Lezhë.
Të arrestuar dhe të lënduar
Nga 13–15 tetor, gjithsej në Tiranë u arrestuan: 127 protestues, ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 324 shtetas të tjerë. Shifrat u konfirmuan nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu. Për aktet e dhunës në rrethe, ka të arrestuar vetëm në Durrës ku u prangosën 23 dhe 2 në Korçë.
Ndërkohë në katër ditë protestë, 6 efektivë dhe shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë janë pezulluar deri më tani pas dyshimeve se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Ministria e Brendshme raportoi se 156 persona, përfshirë katër të mitur, 97 oficerë policie, 45 protestues dhe 14 kalimtarë, janë plagosur që nga fillimi i protestave.
Sot studentët pritet të dalin sërish në rrugët e Tiranës për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa mbetet për t'u parë nëse paqja e arritur mbrëmjen e 16 tetorit do të zgjasë./ZËRI



