Aktualitet

Dita e dytë e homazheve për Kryepeshkopin, i pranishëm edhe Baba Mondi

Gjatë gjithë natës kisha ka qëndruar hapur për homazhe, ku qindra besimtarë i japin lamtumirën e fundit kryepeshkopit Anastas.

F.I
Dita e dytë e homazheve për Kryepeshkopin, i pranishëm edhe Baba
PAMJE NGA HOMAZHET

TIRANË-Në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë vijojnë homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos, që u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës në Athinë. Gjatë gjithë natës kisha ka qëndruar hapur për homazhe, ku qindra besimtarë i japin lamtumirën e fundit kryepeshkopit Anastas. I pranishëm në homazhe ka qenë edhe kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ai u shpreh se Anastas ishte një personalitet dhe largohet nga kjo botë duke lënë pas një vepër për Kishën Ortodokse dhe për shqiptarët.

“Ishte personalitet i Kishës Ortodokse shqiptare. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me komunitetet fetare dhe mua personalisht. Më vjen keq që çdo njeri largohet nga kjo botë, por ai largohet me një vepër që ka lënë pas kishës ortodokse shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, zoti e pastë në parajsat e veta”, tha Baba Mondi.

Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër, kur trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, një amanet i lënë prej tij.

Greqia do të sjellë një delegacion në Shqipëri në ceremoninë e homazheve për kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në Tiranë do të vijë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, bashkë me 5 ministra të kabinetit të tij. Të pranishëm do të jenë gjithashtu përfaqësues nga të gjitha Mitropolitë e Shqipërisë, ambasadat e huaja në vend, një delegacion i nivelit të lartë nga Vatikani, patriku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros, por edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse në botë.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25  janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991./ZËRI

Poll

MOS HUMB