
TIRANË-Merita Jana, pronarja e kopshtit privat 'Gledis' i ndodhur në zonën e Astirit, ka kallëzuar në Polici nënën e djalit, i cili u konfliktua me një fëmijë tjetër më 4 qershor, në ambjentet e institucionit. Nëna raportoi ngjarjen e shqetësuar, duke publikuar foton e djalit të saj me shenja dhune në fytyrë, por pronarja e kopshtit e ka denoncuar për prishje imazhi.
Njoftimi i policisë:
Më datë 04.06.2025, shtetasja M. J., 36 vjeçe, pronare e një kopshti privat, ka kallëzuar se nëna e një fëmije i ka prishur imazhin, duke postuar në një rrjet social, foton e fëmijës së saj, me pretendimin se është konfliktuar në kopsht, me një fëmijë tjetër. Materialet i kaluan Prokurorisë, për vlerësim.
Ditën e ngjarjes ZËRI kontaktoi me pronaren e kopshtit privat “Gledis”, Merita Jana, e cila pohoi incidentin mes fëmijëve dhe u shpreh e revoltuar se do t'i vendosë çelësin.
Ngjarja u raportua më 4 qershor, ku nëna e fëmijës pretendon se askush nga personeli i kopshtit nuk ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin mes të vegjëlve dhe djali i saj ka shkuar i dhunuar në shtëpi. Ky nuk është rasti i parë, që kopshti vendoset në vëmendje të publikut, pasi disa muaj më parë, edukatorja Rudina Gërdani u filmua duke dhunuar dy fëmijë të vegjël. 46-vjeçarja u shpall në kërkim nga policia për rastin që tronditi mbarë opinionin publik dhe ngriti njerëzit në protestë./ZËRI