
TIRANË-Një tjetër rast dhune është raportuar në kopshtin privat “Gledis” i ndodhur në zonën e Astirit në Tiranë, ku disa muaj më parë u vendos në fokus të vëmendjes publike, pasi edukatorja Rudina Gërdani u filmua duke dhunuar dy fëmijë të vegjël. 46-vjeçarja u shpall në kërkim nga policia për rastin që tronditi mbarë opinionin publik dhe ngriti njerëzit në protestë.
Në rastin e sotëm nëna e një fëmije thotë se djali i saj ka shkuar në shtëpi i nxirë e me shenja në veshë, faqe, sy dhe fyt. Nëna në denoncimin për JOQ ka dërguar edhe foton e djalit të saj, ku shihen shenjat në fytyrë.
Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një sherri të ndodhur mes të vegjëlve në kopsht, ku nëna pretendon se askush nga personeli i kopshtit nuk ka ndërhyrë për minuta të tëra për të ndaluar atë që po ndodhte.
“Ata e kthejnë çështjen në interes financiar. Nuk e përjashtojnë djalin dhunues, se thonë nëse heqim atë ikin dhe dy të tjerë. Nuk kanë interes të mbajnë djalin tim dhe të heqin tre të tjerë,” tha nëna e djalit të vogël.
ZËRI kontaktoi me kopshtin privat “Gledis”, ku pronarja Merita Jana pohoi incidentin mes fëmijëve, por nuk dha asnjë koment në lidhje me ngjarjen.
Merita Jana: Fëmijët janë rrahur me njëri-tjetrin. Nuk dua të dal në asnjë televizion. Ata duan të më vënë shkelmin, unë do t’i vë çelësin. Kaq kisha.
Jana nuk dha asnjë koment se ku ndodhej stafi në momentin kur fëmijët u konfliktuan me njëri-tjetrin.
Kjo ngjarje kthen edhe një herë vëmendjen te siguria e kopshteve dhe çerdheve, ku prindërit i lenë fëmijët në mirëbesim, dhe më pas i marrin të nxirë e me shenja dhune, herë nga edukatoret e herë nga bashkëmoshatarët./ZËRI