
TIRANË-Sot përfundon afati i aplikimeve për postin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Deri më tani janë paraqitur 4 kandidatura për këtë pozicion të rëndësishëm, mes tyre dhe Gledis Nano. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka dorëzuar aplikimin për këtë post.
Gledis Nano u emërua si drejtor i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Ardi Veliut, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, më 7 tetor të vitit 2021. 10 muaj më vonë, u shkarkua me argumentin se nuk i ka realizuar objektivat.
Përveç Nanos në garë janë edhe 3 të tjerë. Për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit po garon, Jon Keta, ish-oficer gjyqësor i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe aktualisht numri dy i BKH-së; Mentor Cuku, vëllai i kryekomisar Artan Cukut, i cili u ekzekutua tetë vite më parë me porosi të Bledar Jambellit dhe Elton Kërluku, hetues financiar pranë BKH-së.
Pas kalimit në disa faza testimi, komisioni i ngritur në SPAK pritet t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e kandidatit të përzgjedhur për emërimin si kreu i ri i BKH-së. Mandati i drejtuesit të Byrosë është 5 vjet. Aktualisht, postin e kreut të BKH-së e mban Aida Hajnaj, e cila do të qëndrojë në këtë detyrë deri më 31 gusht. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra./ZËRI