
FIER- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në Fier. Djali 23-vjeçar, Jashar Zyka ka plagosur me një armë të modifikuar të atin e tij, gjatë një konflikti në banesë. 58-vjeçari, Nexhmedin Zyka është plagosur në këmbë dhe aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. I riu është arrestuar, ndërsa është sekuestruar edhe arma e modifikuar si armë sportive.
Njoftimi i policisë:
Plagosi babanë e tij, me një armë të modifikuar, pas një konflikti në familje, kapet 23-vjeçari. Sekuestrohet arma e modifikuar si armë sportive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, rreth mesnatës, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte plagosur babanë e tij, në banesën e tyre, në fshatin Mbrostar Ura, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap dhe u vu në pranga, shtetasi J. Z., 23 vjeç.
Ai dyshohet se pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin N. Z., 58 vjeç, e ka plagosur atë, në këmbë, me një armë të modifikuar si armë sportive. 58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./ZËRI