
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj është thirrur paraditen e kësaj të premteje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Burime bëjnë me dije se Malaj është thirrur për të dëshmuar në lidhje me çështjen e 21 Janarit, pasi asokohe ai ka qenë komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës.
Pasi u largua në vitin 2013 nga Garda ai nisi karrierë politike, pasi u bë pjesë e Partisë Socialiste. Më vonë ai u emërua kryetar i Partisë Socialiste për Matin.
Në fushatën e zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2015 ai doli në krah të kryeministrit Edi Rama për të kërkuar votat për kandidaten socialiste. Tashmë ai mban detyrën si kryebashkiak i Matit.
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi. Por deri më tani, kryedemokrati Sali Berisha, i cili do ta ketë çështjen e dytë në SPAK, nuk ka bërë asnjë koment./ZËRI