
LEZHË- 67-vjeçari Dodë Mamli është qëlluar për vdekje teksa po punonte në pyll. Trupi i viktimës është konstatuar nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar Policinë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zhejë të Laçit, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në gjoks dhe në kokë. Paraprakisht dyshohet se shkak për vrasjen është një konflikt që ka nisur për çështje pronësie, por ky version nuk është ende i konfirmuar nga Policia e Kurbinit. Për ekzekutimin e të moshuarit nuk përjashtohet as pista e gjakmarrjes.
Shkaku pse nuk përjashtohet pista e gjakmarrjes ka lidhje me një ngjarje të ndodhur në 2015. Dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik alias Elton dhe Tom Mamli, kanë vrarë në vitin 2015 kushëririn e tyre, Naim Tafën. Në shtator 2015, vëllezërit Mamli kanë pasur një konflikt të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte gjithashtu i përfshirë në përplasje. Nga përplasja mbetën të plagosur aksidentalisht Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët u gjetën në zonën e stacionit të trenit./ZËRI