
KUKËS- Tre persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Kukësit për plagosjen e 29-vjeçarit Elvis Halilaj, i afërmi i kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj. Në pranga është vënë Zenel Muçmata, i cili është drejtor i drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Kukës, si dhe dy persona të tjerë, të akuzuar se e kanë ndihmuar të fshihet pas ngjarjes. Po ashtu, Prokuroria e Kukësit njofton gjithashtu arrestimin e Genci Pingulit dhe Enes Asllanajt, të cilët akuzohen për përkrahje të autorit.
Të dy janë vendosur në pranga në Tiranë, teksa shkonin për t'i dërguar ushqim në banesën ku fshihej Muçmata. Ky i fundit ishte strehuar në një banesë pranë zonës së “9-katsheve" në Tiranë.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM KUKËS
Tre persona arrestohen me kërkesë të Prokurorisë Kukës për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Përkrahje të autorit’. Tre persona u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës, nën akuzë për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim’. Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr. 72 të vitit 2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë së Pergjithshme të Policisë së Shtetit arrestuan shtetasit; 1. Z. M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Armembajtje pa leje” parashikuar nga nenet 78,25,22, 278 te Kodit Penal; 2. G.P., i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim” parashikuar nga neni 302 te Kodit Penal; dhe 3. E. A., i dyshuar për veprën penale të “Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal. Ky operacion ishte në vijim të hetimeve të plagosjes së ndodhur më 19.02.2025 në qytetin e Kukësit, ku shtetasi E.H. mbeti i plagosur me armë zjarri pas një konflikti. Pas kësaj ngjarjeje ndaj shtetasit Z.M. ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë.
Aktualisht, Gjykata e Kukësit ka lënë në burg Sebastian Muçmatën, plagosi me armë zjarri 29-vjeçarin Elvis Halilaj, kushëririn e kryebashkiakut të Kukësit Albert Halilaj. Deri më tani në pranga për ngjarjen ishte vendosur në pranga Sebastian Muçmata, vëllai i drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë e Kukësit, Zenel Muçmata. Pasi kreu plagosjen, Muçmata u vetëdorëzua, ndërsa në kërkim u shpall i vëllai i tij.
Drejtori i Bashkisë, Zenel Muçmata akuzohet për "vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Armembajtje pa leje”.
Sebastian Muçmata ka deklaruar para grupit hetimor se shkak i konfliktit është bërë largimi nga puna i Elvis Halilajt. Ky i fundit pretendonte se e ka shkarkuar padrejtësisht nga detyra. Autori ka dëshmuar se konflikti nisi pasi dy vëllezërit Halilaj, Elvis dhe Qerim kërcënuan me armë zjarri babanë e tij dhe dhunuan vëllain e tij, Zenel Muçmatën, i cili mban postin e Drejtorit të Shërbimeve në Bashki.
"Më pyesni dhe më akuzoni kam për të shtuar se nuk kam shkuar për të vrarë njeri, por në momentin që kam shkuar, aty Qerimi (vëllai i të plagosurit) i ka drejtuar armën babait tim Izetit (Muçmata), në këto momente kam shkuar menjëherë te makina dhe kam marrë një armë tip pistoletë që e kisha në bagazh dhe kam qëlluar në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Qerimi dhe Elvisi Halilaj, po të kisha qëllim për t’i vrarë unë e kisha atë mundësi, por nuk kam pasur qëllim vrasjen e asnjë personi. Unë, kur kam mësuar se pikërisht shtetasit Qerim e Elvis Halilaj kishin rrahur sot te agjencia e Bicajve vëllanë tim Zenelin, i cili ka ngelur pa ndjenja i shtrirë në tokë."
Ngjarja ndodhi më 19 shkurt në fshatin Bicaj në Kukës./ZËRI