
SHKODËR-Disa ditë më parë u dogjën dy makina që ishin në përdorim të agjentit të krimeve Ergys Lohja. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy vëllezërit Elvis dhe Klevis Serraj, si autorët e dyshuar për zjarrvënien, ndërsa është shpallur në kërkim porositësi i identifikuar si Gjekson Pusi. Pusi nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi më 30 qershor të 2020 u arrestua si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit, Hekuran Billa.
Pusi u arrestua, pasi ishte shoferi i Viktor Markut, i cili dyshohej si autori kryesor që ekzekutoi me breshëri plumbash Billën në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera nën drejtimin Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së 30.10.2024, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuar dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porositësi”
Në kuadër të operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. S., 19 vjeç dhe K. S., 20 vjeç (vëllezër), të dyshuar si autorë të djegies së dy automjeteve. Si dhe u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Gj.P, 37 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si porositësi i djegies së automjeteve në pronësi të shtetasit S. H.
Gjatë kontrollit në banesën e dy vëllezërve, përveç veshjeve dhe biçikletës të përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arme zjarri automatike, një sasi lëndë narkotike kanabis. dhe 18 aparate celular. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia. /ZËRI